Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, ka raportuar para komisionit parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, për vdekjet e punëtorëve në vendet e punës, raporton Ekonomia Online.
Ibrahimi bëri të ditur se për 8 muaj kanë bërë mbi 6 mijë e 200 inspektime dhe kanë bërë mbi një mijë vërejtje.
Sipas tij, kompanive u kanë dhënë kohën e eliminimit të vërejtjeve dhe nëse nuk i eliminon të metat, sipas tij, shqiptohen gjobat.
Ai ka shtuar se janë të pakënaqur, por ka deklaruar se gjendja nuk është aq e rëndë sa paraqitet në medie.
Ibrahimi ka thënë se këtë vit 18 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës, dhjetë prej tyre në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas tij, dy prej të vdekurve janë punëdhënës.
“Edhe ne jemi të pakënaqur, s’është gjendja aq e rëndë, edhe një i vdekur në vendin e punës ne jemi të pakënaqur. Kemi pasur 764 ankesa, ka rënë ky numër, besoj që kjo është ngritje e besimit të Inspektoratin e Punës”.
“Duke marrë parasysh numrin e vogël të inspektorëve, u tregojmë që për një kohë të caktuar shtyjmë ankesën. 126 inspektime i kemi pasur. Kemi hasur punëtor pa kontrata pune”.
Ibrahimi ka thënë se gjatë inspektimeve kanë shqiptuar 206 gjoba, raporton EO.
“Numri i vdekjeve të rritua, këtë vit kemi 18 vdekje, 2 raste vdekje natyrore. Në ndërtimtari janë 10, 4 kemi qe kane vdekur duke punuar në shtëpi individuale dhe 2 prej të vdekurve lanë qenë punëdhënës.
“Një pjesë është kujdes jo i mjaftueshëm i punëtorit në vendin e punës, p.sh te rryma ai duhet vet të shkojë në nda burimin e rrymës, por këto i llogarisim si vdekje në vendin e punës”.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, tha se nuk po respektohen ligjet në fuqi që kanë të bëjnë me këtë çështje.
“Rastet e vdekjeve në vendin e punës jo që po rrallohen por po shpeshtohen. Ka radhë të shumta të vdekjeve, sidomos në muajt e fundit. Dje ka pas protestë dhe me të drejte shoqëria civile ka vendosur 93 kapela”.
“Nuk po respektohet ligji i punës, ligji për mbrojtje në punë. A keni bërë inspektime, çka keni ndërmarrë në këtë drejtim, a ka pasur raste të mbylljes së vend punishteve ku kanë ndodhur këto fatkeqësi”.
Fatmire Kollçaku-Mullhaxha ka kritikuar Qeverinë se po gjenë mjete financiare për të paguar numrin e madh të zëvendësministrave, ndërsa nuk po gjenë buxhet për të shtuar numrin e inspektorëve.
“Qeveria po tregohet joserioze në aspektin e bunarit te vogël të inspektoreve. Për zëvendësministrat po gjendet buxhet ndërsa për shtimin e numrit të inspektorëve nuk po gjendet buxhet. Të inspektimi i gjobave, sa keni jetë shkelje të dyfishta, a është mbyllë ndonjë biznes për shkak të vdekjeve”.
Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate u shpreh se siguria në vendin e punës është në nivel të ulët. Hoti nuk është pajtuar më konstatimin e Ibrahimit se është rritur besimi i punëtorëve në inspektoratin, duke thënë se ky institucion nuk ka asnjë pikë besimi.
“Institucioni i juaj është i rrënuar, asnjë pikë besimi punëtorët nuk e kanë të ju, as te Qeveria. Nuk mund të ketë vesim një punëtor që punon 15 ore në një market në bodrume të mishi i prishur”.
Duke kritikuar deklarimin e Ibrahimit se edhe punëtoret janë të pakujdesshëm, Hoti tha se një vlerësim i tillë është një lëndim shtesë për familjet që humbin anëtarët në vendet e tyre të punës.
Ibrahimi tha se një prej elementeve të rëndësishme është edhe çështja e trajnimit për rrezikun në punë. Sipas tij, numri i vogël i inspektorëve ua pamundëson ndarjen e tyre për sektorë të veçantë.
“Këtë vit kam paralajmëruar se do të ketë gjoba të ashpra, gjobat prej 10 mije deri ne 35 mijë euro nuk i shqiptojmë duke shpresuar që të përmirësohet gjendja. Jemi mundu duke bëre fushatë”.
Kollçaku-Mullhaxha e ka pyetur Ibrahimin për rrethanat e vdekjes së punëtorit në rastin e fundit, se a ka qenë i lidhur me mjete mbrojtëse.
Ibrahimi u përgjigj duke thënë se nga lartësia ka rënë punëdhënësi e jo punëtori, derisa shtoi se ai duhet t’ia krijoje vetes kushtet e punës.
Ibrahimi tutje ka shtuar se kanë pezulluar përkohësisht disa nga vendpunishte që nuk kanë kushte pune.
“Vet punëdhënësi ka ra jo punëtori, ka ra prej lartësie. Nëse vetës nuk ia krijon kushtet çka kemi me i bo ne. Kemi pasur pezullim të përkohshëm të punishtes derisa ti respektojë kushtet e punës. Pse janë një mijë inspektime më shumë, sepse kemi shkuar me kërkesa më të vogla që të përfshijmë më shumë biznese”.
Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se gjendja e sigurisë në vendet e punës nuk është e mirë, derisa ka vlerësuar se sektori i privat nuk monitorohet sa duhet. Ai ka kërkuar nga institucionet që ta fusin në kontroll këtë sektor.
“Bëjë apel që ne si komision për raportet e tregut të punës duke ditur shkallën e lartë të papunësisë rezulton se sektori privat nuk është i monitoruar sa duhet. Shteti duhet të vë kontroll në ketë fushë. Apeloj që në plotësim ndryshimin e ligjit të angazhohemi që ta bëni një studim fizibiliteti koonform këtyre statistikave”.
Kryeinspektori Ibrahimi ka thënë kanë 42 inspektorë duke vlerësuar se nuk është numër i mjaftueshëm. Ai ka shtuar se edhe nëse numri i inspektoreve gjendja nuk pritet të ndryshojë shpejtë, pasi vlerësoi se kjo ka të bëjë edhe me nivelin e kulturës.
“Kemi 42 inspektorë efektiv, nuk është numër i mjaftueshëm. Kemi mungesa edhe logjistike. Biznesi s’do të kishte justifikim të mbante punëtorë të paregjistruar. Edhe nëse shtohen 100 apo 200 inspektorë gjendja nuk mund të përmirësohet shpejtë, për shkak se është edhe çështje kulturore”.
Ibrahimi ka deklaruar se nuk shqiptojmë gjoba për nga vlera e njeriut, por nga niveli i plotësimit të kushteve të punës, derisa ka shtuar se ngritja e kallëzimeve penale ndaj bizneseve është çështje e prokurorisë.
Flora Brovina nga PDK-ja, ka thënë se pavarësisht kërkesave asnjëherë nuk është shtuar numri i inspektorëve.
“Kjo është kërkuar vazhdimisht dhe me kaq nuk kemi zgjidhur asgjë. Një inspektorë s’mund t’ia caktojë shëndetin një punëtori që punon në lartësi. Ndërtesat e larta pa asnjë mbrojtje, as për qytetarët rrotull. Kjo nuk na qon drejt integrimeve evropiane”.
Drita Millaku nga LVV-ja e ka pyetur Ibrahimin se a ka menduar të dorëhiqet duke marrë parasysh se gjendja nuk është e mirë. Ibrahimi ka thënë se është i gatshëm të jap dorëheqje, por nuk e ndien veten fajtor për këto probleme, raporton EO.
“Jam i gatshëm në çdo moment të jap dorëheqje. Por derisa janë këto probleme nuk konsideroj se jam fajtor për to. Sikur të ndjejë që unë jam fajtor dhe me qenë i bindur se dorëheqja ime do të kishte efekt, do të jap”.
Bekim Haxhiu ka treguar një video në telefonin e tij e cila sipas tij, tregonte punimet në katin e 13 të një objekti pa mbrojtje për punëtorët.
“80 për qind e punishteve janë në këtë gjendje. Vdekjet po ndodhin për shkak të mos respektimit të masave të sigurisë dhe mos funksionimit të ligjit. S’jam i kënaqur me punën e inspektoratit sa i përket raporteve dhe mbikëqyrjeve”.
“Shumë institucione publike s’kanë dhomë të ndihmës se pare. Nuk është kjo për të qeshur, kjo është për turp për gjendjen e punëtorëve”.
Haxhiu ka kërkuar të dijë se cilat masa janë marrë ndaj KEDS-it për largimin kolektiv i punëtorëve nga puna.
Ibrahimi ka thënë se e kanë gjobitur KEDS-in, por shtoi se nuk është aq e rëndësishme gjoba sa dhënia e të drejtës punëtorëve.
“Këta s’kanë pasur nevojë fare të bëjnë padi, është dashur vetëm me dërguar vendimin tonë në gjykatë për me u ekzekutuar. KEDS-i ka provuar me ndërhy në vendimet tona, por vendimet tona janë në të mirë të punëtorëve”.