Komuna e Prishtinës rrënon tarracat e disa lokaleve

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 13:03 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Inspektorati i Prishtinës ka larguar disa tarraca të lokaleve në Ulpianë për ta shpenguar trotuarin dhe liruar hapësirat gjelbëruese.

I habitur, pronari i lokalit “Baristas”, Basri Hoti, tha se veprimi i komunës është selektiv dhe është i bazuar në vendimin  për lirimin e hapësirave, i cili  s’është në fuqi tash e 3 vjet, raporton Ekonomia Online.

“Neni në të cilin bazohet vendimi për heqjen e tarracës nuk është në fuqi që 3 vite, kjo na është bërë e ditur nga Ministria e Ambientit. Unë kam ardhur nga Austria dhe 13 vite punë atje i kam investuar në këtë lokal”.

“Kemi pasur leje për shfrytëzim të tarracës për 9 vite dhe është e palogjikshme të mos kemi tash. Kjo do të na dëmtojë biznesin shumë sepse mbajmë diku 20 punëtorë dhe tash duhet ta reduktojmë këtë numër”, tha ai.

Ndërkaq, Hysen Krasniqi, menaxher i lokalit “Baristas”, tha se vendimi i komunës së Prishtinës për heqjen e tarracës së lokalit do të ndikojë në humbjen e vendeve të punës për një pjesë të madhe të stafit.

“Vendimi është i pabazuar. Nuk na kanë lënë vend as për tu ankuar sepse neni me të cilin është thirrur ky vendim nuk ekziston më. Ky lokal ekziston që 10 vite dhe si i tillë nuk ka penguar as qetësinë e banorëve gjithashtu ju ka dhënë mundësi punësimi rreth 20 personave”, tha ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë me telefon për Ekonomia Online se ato tarraca janë hequr për shkak se kanë dëmtuar gjelbërimin.

“Inspekcioni vepron në bazë të ligjeve në fuqi, dhe nëse një lokal e dëmton hapësirën publike apo gjelbërimin, atij i hiqet leja. Inspekcioni ka vendosur që këto tarraca të hiqen për shkak se dëmtojnë gjelbërimin e ambientit. Dy lokale të tjera kanë premtuar që do ta heqin tarracën vetë në vikend”, tha Tahiri, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme