Kryemadhi sulmon ministren nga Kosova: Këtu në Shqipëri ka rregulla, mos u sill si halabakë!

Tiranë | 31 Jan 2019 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Gjatë fjalës së mbajtur në parlament, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka shigjetuar ministren e re të Arsimit, Besa Shahini, në lidhje me mënyrën sesi qeveria po sillet me studentet.

“z.Kryetar i Kuvendit, kësaj zonjës këtu që nuk e di shtëpinë ku e ka dhe ajo vetë, mësoji që ka disa rregulla në Shqipëri dhe në shqiptarët i respektojmë njerëzit, institucionet, edhe kur jemi armiq. Kur vjen përballë një institucioni duhet të vish dhe të sillesh në mënyrë dinjitoze. Alabakë rrugës të cilët e kthejnë institucionin e Parlamentit, në institucione orgjish për të sjellë një sjellje tjetër ki kujdes se nuk do të falë njëri. Nuk do të falin gratë dhe vajzat e Parlamentit, jo më gratë dhe vajzat që janë jashtë Parlamentit”, u shpreh Kryemadhi, e cila e ka trashëguar drejtimin e partisë nga bashkëshorti Ilir Meta.

Kryemadhi nga foltorja e kuvendit akuzoi Ministren me origjinë nga Kosova, se Pakti për Universitetin ka për qëllim zhdukjen e Universitetit të Tiranës dhe sjelljen e Universitetit të Sorosit nga Budapesti në Tiranë.

“Dhe nga kjo foltore dua të bëj dhe një denoncim që ta kemi parasysh të gjithë. E gjithë lufta dhe Pakti i Universitetit, të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë, të nderuar studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, ka një prapaskenë. Shkatërrimin e Universitetit të Tiranës dhe sjelljen e Universitetit të Sorosit në Budapest, i cili me vendim të Kryeministrit të Hungarisë dhe të Presidentit të Hungarisë do të mbyllet. Dhe qeveria jonë e famshme do që ta sjellë në Shqipëri. Pavarësisht bindjeve tona politike dhe ça përfaqësojmë ne të gjithë këtu, të marrim përsipër të mbrojmë universitetin tonë. Universiteti i Tiranës dhe universiteti shtetëror është shumë i rëndësishëm. Mos të lejojmë këtë krim dhe këtë degjenerim në sistemin tonë arsimor. 27 vjet tranzicion që ne kalojmë duhet ta mbyllim përfundimisht. Por jo duke sjellë një universitet që në një vit merr 10 diploma”.

Të ngjashme