Punonjësit e arsimit, të shëndetësisë, ata të Doganës dhe të administratës publike i janë përgjigjur ftesës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për të protestuar para Qeverisë së Kosovës me kërkesë miratimin e Ligjit për Paga, raporton Ekonomia Online.
Pagesa prej 100 eurosh në muaj derisa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave, zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale, ishin kërkesa të tjera të punëtorëve të sektorit publik.
Për shkak të kësaj proteste, procesi mësimor nuk është zhvilluar në institucionet e arsimit në mbarë Kosovën, pasi Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, (SBASHK) ka thënë se mësimdhënësit do të jenë pjesëmarrës në protestë.
“Kryeministër realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, “Çka po ndodh me Ligjin e Pagave?”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “Urgjentisht të shfuqizohet kriteri prej 15 vjetëve përvojë pune që kërkohet para vitit 1999”, ishin disa nga mbishkrimet që mbanin punëtorët gjatë marshit të tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të ndërtesës së qeverisë.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, në fjalim para masës së tubuar para ndërtesës së Qeverisë, ka kërkuar që të miratohet sa më shpejt Ligji për Pagat.
E deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qeveria t’ua shtojë në paga nga 100 euro.
Ai ka thënë se punëtorët janë shtylla e shtetit.
“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë”.
“Jemi këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.
Ai po ashtu ka kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
“Ju sindikalistë të dashur ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i arrijmë ato”, ka thënë ai.
Kreu i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se Qeveria nuk po dëshiron dialog. Ai paralajmëroi veprime më të rënda sindikale pas kësaj protestë.
“Qeveri, këta janë njerëzit tuaj. Është trup që të qëndroni në Amerikë e të mos dilni para këtyre njerëzve që presin në diell. Lutemi të këndelleni, në të kundërtën pas kësaj proteste madhështore do të ketë edhe veprime më të rënda të cilat ne nuk i duam, por si duket i doni. Ne e duam Ligjin e Pagave, por jo Ligj që na punon dikush, por që e punojmë edhe ne”, u shpreh ai.
E Ali Gashi, kryetar Sindikatës së Administratës Publike të Kosovës i ka bërë thirrje qeverisë që të ngjitet në katin më të lartë të ndërtesës së qeverisë e ta shohë protestën madhështore të tij.
‘’Ngjituni në katin më lartë të ndërtesës. Vetëm nga atje mund ta shihni madhështinë e protestës dhe ta kuponi se jemi të vendosur për realizimin e kërkesave tona.’’, tha ai.