Kryeministri Hoti: Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai i ka shprehur urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.

 ‘’Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar që nga nëntori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon. Kjo ditë na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për ta ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë nacionale’’ thuhet midis tjerash në urim.

 Në vazhdim ju sjellim të plotë telegramin e urimit të Kryeministrit Hoti për Kryeministrin Rama

 TELEGRAM URIMI

 I dashur kryeministër Rama,

 Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.

 Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar që nga nëntori i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në këtë ditë të shënuar, prijësit e të gjitha viseve shqiptare, në Vlorën e bekuar, e shpallën njëzëshëm Shqipërinë shtet më vete, të lirë dhe të mosvarur. Që nga ajo kohë, shqiptarët kudo janë e kanë mbajtur lart e me krenari Flamurin Kombëtar, që është simbol i unitetit, paqes dhe dashurisë së përjetshme në mes nesh.

 Dita e Flamurit – 28 Nëntori është ditë e secilit shqiptar, pavarësisht ku jeton a punon. Kjo ditë na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kemi bërë gjatë gjithë historisë për ta ruajtur të paprekshme frymën e qenies sonë nacionale.

 Sot, Republika e Shqipërisë krenohet me të arriturat e saj, veçmas me anëtarësimin në NATO dhe me afrimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Këto të arritura janë frymëzim edhe për Republikën e Kosovës, që edhe ne të punojmë me vendosmëri për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësim në këto institucione. Përmbyllja e këtij procesi do të shënonte kthimin e kombit shqiptar në shtratin e vet të natyrshëm shpirtëror, kulturor edhe politik evropian.


Duke ju ripohuar ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, i dashur Kryeministër, uroj që Republika e Shqipërisë të ketë përherë vetëm mbarësi dhe suksese!

 Me respekt,

Avdullah Hoti,

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme