Kryeministri i Irakut, Adel Abdel Mahdi, tha se kërkesat e protestusve për t’i dhënë fund korrupsionit janë “të drejta”, por theksoi se i dënon fuqishëm trazirat e ditëve të fundit.
“Kërkesat e juaja për reforma dhe luftë kundër korrupsionit kanë arritur te ne”, tha Mahdi në një fjalim televiziv.
“Kërkesat për të luftuar korrupsionin dhe shqetësimet për të ardhmen e të rinjve janë të drejta dhe ne do t’iu përgjigjemi”, tha ai, por paralajmëroi se nuk ka “zgjidhje magjike” për problemet e Irakut.
Së paku 30 njerëz janë vrarë këtë javë në protestat kundër korrupsionit dhe papunësisë.
Gjendje shtetrrethimi është vendosur në Bagdad dhe disa qytete të tjera të Irakut, por shumë e kanë kundërshtuar atë, duke i detyruar forcat e rendit të qëllojnë më armë.
Protestat, të cilat duket se nuk kanë ndonjë udhëheqje të organizuar, janë më të mëdhatë që kur Mahdi është bërë kryeministër një vit më parë.
Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për dhunën dhe u kanë kërkuar autoriteteve irakiane që të ushtrojnë përmbajtje.
Analistët thonë se protestat duket se janë rezultat i një rritjeje spontane të zhgënjimit me shkallën e lartë të papunësisë së të rinjve në Irak, me shërbimet e dobëta publike dhe me korrupsionin kronik.
Iraku ka rezervat e katërta më të mëdha të naftës, por, sipas Bankës Botërore, 22.5% e popullsisë së tij prej 40 milionësh ka jetuar me më pak se 1.90 dollarë në ditë në vitin 2014.