Kryeministri i Pakistanit refuzon ta dënojë shtypjen e ujgurëve, e mbron Kinën

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Pakistanit – shtet me numrin e dytë më të madh të myslimanëve në botë – refuzoi t’i dënonte abuzimet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga Kina kundër pakicës ujgure.

Kur u pyet për raportimet rreth ndalimit dhe abuzimeve të gjera ndaj ujgurëve, Khan tha: “Kina ka qenë një ndër miqtë tanë më të mëdhenj në kohërat më të vështira”, duke shtuar se çfarëdo bisedimesh me Pekinin për Xinjiangun do të zhvilloheshin prapa dyerve të mbyllura.

Deri në dy milionë ujgurë dhe pakica të tjera myslimane besohet se janë vendosur në një rrjet të qendrave të ndalimit në Xinjiang viteve të fundit, sipas Departamentit të Shtetit. Shumë ish të ndaluar në këto kampe pretendojnë se kanë qenë subjekt i indoktrinimit, abuzimit fizik dhe sterilizimit.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe disa kuvende të shteteve perëndimore i kanë shpallur si gjenocid veprimet e Kinës në Xinjiang.

Por Khan tha se Pekini i ka mohuar raportimet për abuzime të gjera të myslimanëve ujgurë gjatë bisedimeve private me Islamadadin. “Ne e respektojmë mënyrën se si ata janë…Si ka mundësi që ky është një problem i madh në botën perëndimore? Pse injorohen njerëzit e Kashmirit? Është shumë më shumë e rëndësishme”, tha ai.

Rajoni me shumicë myslimane i Kashmirit ka qenë epiqendër e mosmarrëveshjeve kufitare që shpesh kanë qenë të dhunshme mes Indisë e Pakistanit.

Islami është fe zyrtare e Pakistanit dhe ky shtet e ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në botë.

Pakistani për një kohë të gjatë ka pasur raporte të mira tregtare me Kinën dhe ka përfituar nga shpenzimet infrastrukturore të vendit komunist, si pjesë e planit të presidentit kinez, Xi Jingping, për të investuar në shtetet e huaja.

Të ngjashme