Kryeministri popullist i Italisë, Giuseppe Conte, ka treguar se synon t’i japë fund imigrimit ilegal si dhe të forcojë lidhjet me Rusinë.
“Ne do të përkujdesemi për t’u hapur ndaj Rusisë”, duke përfshirë dhënien fund të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për të cilat ai ka thënë se dëmtojnë “shoqërinë civile”.
Ai i ka bërë këto deklarata para senatorëve në Romë, pasi Dhoma e Lartë e parlamentit ka votuar në favor të Contes për të formuar qeverinë e re.
Dhoma e Ulët e parlamentit pritet të miratojë qeverinë e re më 6 qershor.
Liderët e rinj të Italisë përballen me dy data të rëndësishme në qershor, duke nisur nga samiti i Shtatë vendeve më të Industrializuara (G7), më 7 dhe 8 qershor në Kanda, dhe më pas samiti i dytë i Bashkimit Evropian në Bruksel, i cili pritet të fokusohet në krizën e refugjatëve në rajon dhe reformat në Eurozonë, transmeton rel.
“Ne do të promovojmë një rishikim të sistemit të sanksioneve”, gjatë takimit me anëtarët tjerë, duke bërë fushatë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë”, ka thënë Conte.
“E vërteta është se ne kemi krijuar një ndryshim rrënjësor dhe jemi krenarë për këtë gjë”.
Deklaratat e Contes kanë ardhur pasi presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite ne Austri, vend që po ashtu drejtohet nga një qeveri populliste, ka thënë se “tërheqja e sanksioneve është në interesin e çdokujt, duke na përfshirë neve po ashtu”.
Putin ka hedhur poshtë deklaratat se qeveria e tij është duke punuar për të promovuar ndarje në Evropë, duke mbështetur partitë populliste të krahut të djathtë, në këmbim të marrëdhënieve më të mira me Moskën.