Kryeministri Kurti bashkëbisedon me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës

Prishtinë | 15 Maj 2024 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës, të cilët po qëndrojnë për një vizitë studimore në Kosovë.

Teksa i’u uroi mirëseardhje Kurti tha se edukimi është një mjet i fuqishëm që ndërton baza për bashkëpunim të mirë, siç është rasti me marrëdhëniet e veçanta mes Kosovës dhe Austrisë.

Në kuadër të këtij bashkëbisedimi, ai trajtoi elementet që dëshmojnë potencialin e Kosovës për zhvillim, teksa më pas përmendi dhe lansimin e djeshëm të platformës “Made in Kosova”.

Kryeministri Kurti shprehu se qeveria është e përkushtuar në ndërmarrjen e reformave politike e ekonomike me synim rritjen e transparencës dhe krijimit të kushteve të favorshme për investitorë lokal e ndërkombëtarë.

Ai theksoi disa prej politikave të ndërmarra të cilat kanë patur synim ndikimin në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve pa dallim, si dhe evidentoi disa prej të arriturave në indikatorët makroekonomikë, si dyfishimi i eksporteve apo edhe ai i investimeve të huaja direkte në tri vitet e fundit.

Të ngjashme