Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë dhe Mon Balajt në Podujevë, në 15–vjetorin e vrasjes së tyre.
Ai ka bërë homazhe edhe te pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, në Bulevardin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti e filloi me fjalët e veprimtarit Adem Demaçit, i cili me 10 shkurt të vitit 2007, në po të njëjtin shesh, kishte thënë “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.
Kryeministri Kurti tha se rruga jonë është e drejtë, dhe atë 10 shkurt për të disatën herë, ne e shpallëm hapur testamentin, që gjithkush ia shpallë vetvetes, testamentin e vetëvendosjes. “Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë, ajo është thjesht polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit”, deklaroi kryeministri.
Më tej, ai tha se në vitin 1968, në vitin 1981, në vitet ’88, ’89, ’90 e ’91, pastaj në vitet ’97, ’98 e ’99 e edhe në vitin 2007, për të mbërritur në të tashmen tonë e kishim thënë gjithnjë se drejtësia nuk importohet, por është virtyt i yni.
“Me këtë dëshirë e me këtë besim, ne dolëm me mijëra në shesh, atë të shtunë të 10 shkurtit 2007. Po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh. Dhe, policia arbitrare e UNMIK-ut, na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim, pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës së dytë, e për qytetarët e dorës së dytë, nuk ka Kuvend, por polici, nuk ka gjykim, por hetim”, tha kryeministri Kurti.
Prandaj, të gjithë ne, pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë, bashkë me ne, jemi të përfaqësuar nga Arben Xheladini dhe Mon Balaj, tha ai, duke shtuar se përmes ngjarjes sonë dhe emrave të tyre, ne do të takohemi me nipat e fëmijët tanë në të ardhmen, ashtu siç e kemi bërë historikisht.
“Ky është shesh, është sheshi kur i vjen dëshmia dhe shtohet trashëgimia. 15 vite më parë, në këtë shesh ne kërkonim ende me vendosmëri të drejtën e rrugës së lirë të Kosovës, lirinë e së drejtës së Kosovës. Sot, do të vazhdojmë projektin e Republikës me një ndërtim më të denjë. E duam të lirë rrugën e saj, e duam të drejtë rrugën e saj, e duam të sigurt rrugën e Kosovës. Lavdi Mon Balajt e Arben Xheladinit e të gjithë dëshmorëve të popullit tonë!”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti.