Kryeministri Kurti priti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, mirëpriti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons. Pjesëmarrëse ishte dhe Njomza Emini, Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Temat qendrore të takimit ishin anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, i cili u arrit në gusht të vitit të kaluar si dhe pjesëmarrja e shtetit tonë në Lojërat Paralimpike, Paris 2024, për herë të parë.

Gjithashtu u trajtuan dhe mundësitë për zgjerimin e përfshirjes në aktivitete sportive edhe për personat me nevoja të veçanta në Kosovë dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për qasjen e tyre në mekanizma të ndryshme. 

U theksua se mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë për Personat me Aftësi të Kufizuara në përgjithësi, përfshirë dhe fushën e sportit, vijon të mbetet e palëkundur.

Viti 2022 ishte shpallur edhe vit i Personave me Aftësi të Kufizuara nga Qeveria e Kosovës, ku edhe u organizuan në vazhdën e aktiviteteve të parapara nga të gjitha institucionet, edhe aktivitete sportive e kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të ngjashme