Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Samitin e Triestes ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin qendror ku Republika e Kosovës përfaqësohej nga kryeministri Isa Mustafa, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete tjera.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa fillimisht foli për rëndësinë e kësaj iniciative e cila ka krijuar një perspektivë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatis në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian, dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge tonë”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa më tej theksoi të arriturat dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.
“Ne në Kosovë tani jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, dhe të themelimit të Qeverisë së re, por jam i kënaqur që mund të rikonfirmoj se edhe nga këto zgjedhje del një orientim shumë i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë.
Ne kemi arrit që gjatë kësaj periudhe të realizojmë bashkëpunim të mirë me Bashkimin Evropian, tani po punojmë në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, po punojmë në implementimin e Marrëveshjes Kornizë për Programet e Bashkimit Evropian, kemi përmbushur 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave, dhe shpresojmë që edhe kriterin e fundit do ta përmbushim. Ky kriter nuk ka të bëjë fare me kontekstin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, sepse Mali i Zi ka qenë shumë korrekt dhe ne jemi të bindur që puna është kryer në mënyrë korrekte, por është çështje e jona e brendshme dhe vlerësojmë se këtë proces ne do ta përfundojmë.
Ne po ashtu jemi shumë të interesuar që të qojmë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shohim interes të madh në këtë hapësirë ekonomike rajonale, qoftë në tërheqjen e investimeve të huaja në këtë hapësirë, qoftë në zgjidhjen e problemit të papunësisë, me të cilin ne në Kosovë veçmas jemi të ballafaquar, sepse kemi papunësinë shumë të lartë sidomos të grave dhe të të rinjve. Kemi po ashtu edhe papunësinë strukturore e cila ka ndodh për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë, por mund t’ju them po ashtu që vitet e fundit kemi arrit edhe rritje relativisht të lartë të GDP-së, prej 4 për qind, për dy vitet e fundit, që siguron se ne mund të përmbajmë këtë rritje ekonomike, por edhe se duhet të kemi bashkëpunim më të mirë me vendet tjera.
Në suaza të realizimit të këtij bashkëpunimi, ne shohim nevojën që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Bosnje dhe Hercegovinës në zgjedhjen e problemi të vizave, në mënyrë që mos të kemi pengesa në qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave me Bosnjen. Kemi po ashtu nevojë që me Serbinë ta zgjedhim problemin sa i përket njohjes së certifikatave të mallrave fitosanitare, certifikatave të origjinës së mallit dhe certifikatave të cilësisë. Unë shfrytëzoj rastin që t’i uroj zgjedhjen kryeministres së re të Serbisë, e cila është këtu, dhe po ashtu të shpreh gatishmërinë që ne të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të zgjidhim të gjitha çështjet përmes procesit të dialogut.
Kemi nevojë po ashtu që me Serbinë aktualisht të zgjedhim problemin e energjisë dhe transmisionit i cili ka mbetur i papërdorshëm dhe në të cilin kemi investime rreth 70 milionë euro me përkrahjen e qeverisë gjermane dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, që kemi realizuar së bashku me Shqipërinë.
Unë konsideroj se përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë që të zgjidhim problemin e konkurrueshmërisë, që Kosova e ka sidomos me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian, për çfarë kemi nevojë që ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të arrijmë që të kemi suksese më të larta. Sikurse e kemi përkrahur Traktatin e Komunitetit të Transportit, vlerësojmë se ky traktat do të arrij që të rris edhe më tutje konjektivitetin në mes të vendeve tona. Ne kemi investuar mjaft shumë në fushën e infrastrukturës, dëshirojmë që rrugën që e kemi ndërtuar së bashku me Shqipërinë, do ta lidhim tani me Serbinë, dhe do ta funksionalizojmë edhe në aspekt më të gjerë. Dëshirojmë të bashkëpunojmë me Maqedoninë, në mënyrë që investimet të cilat i kemi në rrugën për Shkup, po ashtu ta përmbyllim me pjesën e Maqedonisë, e cila do ta mbështes këtë projekt, siç tha edhe kryeministri i Maqedonisë me këtë rast” tha kryeministri.
Përpos bashkëpunimit rajonal, kryeministri Mustafa ka përmendur edhe iniciativat e reja të bashkëpunimit, duke kërkuar që bashkëpunimi të vazhdoj edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
“Sa i përket Traktatit të Komunitetit të Transportit, unë dëshiroj të shpreh interesimin e Kosovës këtu, që selia e këtij traktati të jetë në Kosovë, sepse deri më tani nuk kemi arritur që të kemi asnjë seli të programeve të cilat i kemi realizuar bashkërisht në suaza të bashkëpunimit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Unë e shoh të rëndësisë mjaft të madhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi, e shoh të rëndësisë të madhe edhe iniciativën që kancelaria Merkel sot lidhur me Samitin e IT-së, që do të marrë, sepse kemi interes që të zbatojmë teknologjinë informatike dhe të përparojmë edhe më tutje, dhe po ashtu e shoh edhe interesin e Kosovës që në suaza të bashkëpunimit tonë, të kemi edhe bashkëpunim edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në mënyrë që të arriturat evropiane dhe botërore ne të mund t’i aplikojmë edhe në vendet tona, si të arriturat në ekonomi, në mënyrë që të të ulim diferencat tona në zhvillim, të cilat aktualisht ekzistojnë në mes të vendeve tona dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian.
Dëshiroj që t’ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur, që t’ju bëjë ftesë që ta në përkrahni edhe më shumë në të gjitha mënyrat dhe më të gjitha instrumentet, edhe juve edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Mustafa.
Sot në Trieste, kryeministri Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e personaliteteve evropiane, kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj.