Qeveria e Kosovës ka shfaqur interesim që t’i bashkërendojë aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk kanë dhënë shenja zmbrapsjeje nga taksa prej 100 për qind, e cili ishte vendosur pas fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Në lidhje me këtë çështje, gjatë javës pritet të mbahet një takim mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, shkruan sot “Koha Ditore”.
SHBA-ja tashmë i ka kërkuar Qeverisë pezullimin e menjëhershëm të taksës, për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, në pjesën e parë të këtij viti.
Por me gjithë deklaratat e disa eksponentëve të partive në pushtet që kërkojnë shqyrtimin e taksës, në Zyrën e kryeministrit kanë insistuar se ka konsensus brenda partnerëve të koalicionit për vazhdimin e kësaj mase.
“Politika ndaj taksës nuk është politikë e vetëm një lideri institucional, por e shumë liderëve, partive dhe institucioneve në vend. Ekziston një konsensus dhe përkrahje e fuqishme brenda koalicionit për vazhdimin e kësaj politike, por edhe jashtë koalicionit”, ka thënë Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj.