Kryeministrja e Finlandës kërkon falje që nuk u izolua pasi u pa në klub nate

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, i kërkoi falje publikut të mërkurën, pasi një foto e shfaqi atë në një klub nate, kur ministri i Punëve të Jashtme kishte dalë pozitiv në testin për Covid-19.

“Bëra gabim. Do të duhej që ta kisha shqyrtuar situatën në mënyrë më të kujdesshme”, tha kryeministrja finlandeze në një intervistë për televizionin publik të mërkurën në mbrëmje.

Ajo tha se vendosi që ta përfundonte ndejën më herët të shtunën, pasi u njoftua se i është ekspozuar koronavirusit një ditë më parë, pasi një revistë finlandeze publikoi një fotografi të kryeministres në një klub nate me shumë njerëz.

Marin tha se ndodhej në një restorant, kur pranoi një thirrje telefonike nga sekretari shtetëror, që e informoi për ekspozimin ndaj koronavirusit, shkruan Reuters.

“Ai tha se ministrat nuk do të karantinohen, sepse të gjithë janë vaksinuar dy herë”, shkroi kryeministrja në Facebook, duke shpjeguar pse vazhdoi të socializohej.

Zyra e kryeministres më vonë tha se u ka dërguar ministrave mesazhe të shtunën duke u rekomanduar që t’i shmangin kontaktet me njerëzit tjerë.

Marin tashmë është testuar dy herë për Covid-19 dhe ka dalë negative. Instituti Finlandez i Shëndetësisë rekomandon që të shmanget kontaktet sociale përderisa individi është në pritje të rezultatit të testit për Covid-19.

Të ngjashme