Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet të lajmërojë datën e largimit të saj nga detyra, i kanë thënë BBC-së zyrtarë të lartë të qeverisë britanike.
Burimet thonë se presin që kryeministrja May të paraqesë një afat kohor për zgjedhjen e pasardhësit të saj.
Megjithatë, ende nuk ka pasur konfirmim zyrtar.
Ajo pritet të takohet me udhëheqësit e partisë së saj të premten.
May ka qenë nën presion për të dhënë dorëheqje pasi disa deputetë të partisë së saj dolën kundër planit të ri të Brexit-it, të cilin May tha se do ta dërgojë për votim në parlament.
Që nga janari i këtij viti, parlamenti britanik ka hedhur poshtë tri herë marrëveshjen e largimit të Britanisë nga BE-ja.
Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja, Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.