Pas triumfit në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, Sigal Prishtina po synon që edhe edicionin e ri në Superligë ta nisë me fitore. Në xhiron e parë, Prishtina do të luajë me Rahovecin, ekip të cilin e mposhti në martën në ndeshjen e Superkupës.
Dueli i xhiros së parë ndërmjet Rahovecit, që është nënkampion dhe Prishtinës që është kampione, luhet të dielën mbrëma (19:00), në palestrën “Mizahir Isma”.
Këto dy skuadra edicionin e shkuar u patën takuar në finalen e Kupës së Kosovës dhe serinë finale të plejofit, në të cilat triumfoi Prishtina. Edhe këtë edicion, te Prishtina presin të përsëritin një sukses të tillë, kurse sinjal për këtë e marrin triumfin në Superkupën e Kosovës në Rahovec. Kështu ka insistuar kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi të premten, shkruan sot Koha Ditore.
“Është mirë që e nisëm me Superkupë, pasi do të jetë shtytje dhe një motiv shtesë që edhe në edicionin e ri t’i përsëritim sukseset e sezonit të shkuar. Natyrisht nuk do të jetë lehtë, por ne jemi të gatshëm dhe këtë e dëshmuam në Superkupë”, është shprehur Azemi. “Edhe në xhiron e parë do të përballemi me Rahovecin në palestrën e tij. Sërish do të jetë vështirë, por ne shkojmë atje për fitore. Pres një ndeshje të fortë, pasi Rahoveci ka ekip të mirë. Por, synimet e Prishtinës dihen në secilën ndeshje dhe pavarësisht kundërshtarit, të dalim fitues”.
Prishtina javën e shkuar u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe garat do t’i vazhdojë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup për edicionin e pestë rresht. Ndërkohë, Rahoveci për herë të parë do të luajë në garat evropiane dhe rajonale. Javën tjetër, të mërkurën (2 tetor), Rahoveci do të luajë në terren të vetin ndeshjen e parë eliminatore kundër Cluj-Napoca në kuadër të FIBA Europe Cup, ndërsa do të marrë pjesë edhe në Ligën Ballkanike (BIBL).