Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës Zvicerane, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.
Kryeprokurori Lumezi ka njoftuar Ambasadorin Lebet me punën dhe të arriturat e Prokurorit të Shtetit në ndjekjen dhe luftimin e veprave të ndryshme penale, si dhe për përkushtimin e tij në forcimin e sundimit të ligjit.
Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit dhe Ambasadori zviceran kanë biseduar edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë zvicerane. Të dy bashkëbiseduesit e kanë çmuar bashkëpunimin e deritashëm si dhe rëndësinë e thëllimit të tij edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër, Ambasadori Lebet, duke vlerësuar punën që po e bënë Prokurori i Shtetit, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të vendit që përfaqëson për ta ndihmuar edhe me tutje sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Zvicra mund të kontribuojë.
Në fund, Kryeprokurori Lumezi ka vlerësuar lart mbështetjen e Zvicrës dhënë konsolidimit të institucioneve të drejtësisë, me ç’rast ka falënderuar Ambasadorin Lebet për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme që ai dhe shteti zviceran vazhdojnë ta japin për sistemin prokurorial të Kosovës.