Kryeprokurori: Ne nuk merremi me pastrimin e listave të veteranëve

Prishtinë | 28 Qer 2016 | 14:25 | Nga

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka reaguar pas raportimit në disa media se “Prokuroria do të bëj pastrimin e listave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thotë se nuk është institucion administrativ që merret me pastrimin e listave të veteranëve.

“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës vetëm për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale dhe hetimet do t’i kryej në secilin rast që ka dyshim të bazuar që është kryer një vepër penale dhe plotësohen kushtet e parapara me ligj. Kjo do të thotë se Prokurori i Shtetit nuk merret me procesin, por vetëm me raste individuale, kur ka dyshim të bazuar se është kryer vepër penale”, thuhet në komunikatën e shtypit.

“Edhe për këtë rast Prokuroria ka vepruar në këtë mënyrë, duke filluar të bëjë grumbullimin e informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së. Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës, ose jo”.

“Pra, ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës dhe jo për pastrimin e listave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Prokurori i Shtetit pret që Qeveria dhe Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, duke ofruar informatat dhe provat që kanë për kryerjen e ndonjë vepre penale gjatë këtij procesi”.

Të ngjashme