Kryeprokurori që kërkoi urdhër-arrest për kryeministrin e Izraelit, dikur ishte avokat i Fatmir Limajt

Prishtinë | 20 Maj 2024 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Karim Khan, kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ka kërkuar urdhër-arrest për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe liderët e grupit terrorist, Hamas.

Khan në një deklaratë bëri të ditur se beson që këta individë, përfshirë kryeministrin izraelit, janë të përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gazë.

Për ata që nuk e njohin, Karim Khan kishte qenë figurë e rëndësishme edhe në Kosovë.

Për vite me radhë, Khan kishte qenë avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limajt.

Me Khan si avokat, Limaj kishte dalur i pafajshëm nga akuzat për krime lufte në Tribunalin e Hagës por edhe në gjykimin nga EULEX-i në Kosovë.

Khan e kishte mbrojtur për një kohë Limajn edhe në akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Karim Khan ishte larguar nga pozita e avokatit të Fatmir Limajt më 13 janar 2014.

Në deklaratën e tij të sotme para mediave, Khan dha disa arsye për kërkesën e tij.

Duke folur për veprimet e Izraelit, Khan tha në një komunikatë se “ndikimet e përdorimit të urisë si mjet lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimin kolektiv kundër popullsisë civile në Gazë, janë akute, të dukshme dhe shumë mirë të ditura…Ato përfshijnë kequshqyerjen, dehidrimin, vuajtjen e skajshme dhe numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullsisë palestineze, përfshirë të foshnjave, fëmijëve të tjerë dhe grave”.

Të ngjashme