Kryeprokuroria i reagon ministres serbe: Kosova ka kërkuar bashkëpunim për vrasjen e Ivanoviq

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka dhënë sqarim për media, rreth deklarimit të ministres, në Ministrisë e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, e cila është deklaruar lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, ish Kryetar i Iniciativës Qytetare (SDP), duke theksuar se Prishtina ka refuzuar të kryejë veprimet hetimore bashkë me Beogradin, për këtë çështje.

Prokuroria e Shtetit, njofton se pas rastit të ndodhur, i ka paraqitur disa kërkesa organeve kompetente të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, por deri më tani kemi pranuar vetëm disa informacione, të cilat nuk janë thelbësore për ndriçimin e rastit, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me IMEI, SMS, hartografi, si dhe hyrje/dalje.

“Gjithashtu, me qëllim të bashkëpunimit dhe ndriçimit të tërësishëm të rastit, njëra nga kërkesat është përsëritur, e që ka të bëjë me hyrjet/daljet dhe SMS-të e numrave, që kanë qenë në pronësi të viktimës, Oliver Ovanoviq. Po ashtu, i pandehuri Millan Radoiçiç, është intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pa kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, edhe përkundër faktit se në takimet zyrtare mes policisë së Kosovës dhe Serbisë, policia e Serbisë ka deklaruar se nuk e njeh të pandehurin Millan Radoiçiç, me arsyetimin se i njëjti është shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pala serbe ka kërkuar dhe pranuar nga Policia e Kosovës, klonimin e gëzhojave nga vendi i ngjarjes, mirëpo Prokuroria e Shtetit ende nuk ka pranuar raport për këto ekzaminime.

“Prokuroria e Shtetit, edhe më tej është e gatshme për bashkëpunim me organet kompetente të Republikës së Serbisë dhe është e përkushtuar për ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviq”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme