Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Kryesuesi Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku ka pritur sot në takim ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Kryesuesi Maloku dhe ambasadori Davenport, gjatë këtij takimi kanë diskutuar për avancimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes KPK-së dhe OSBE-së, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial të Kosovës.
Kryesuesi Maloku me këtë rast tha se OSBE-ja ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në mbështetje të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit në ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve specifike, përmes hulumtimit dhe monitorimit të rasteve të dhunës në familje, hartimit të raporteve monitoruese dhe hartimit të Strategjisë kundër trafikimit të njerëzve.
Në anën tjetër edhe ambasadori Davenport tha se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Gjatë këtij takimi, ambasadori Davenport u interesua edhe për situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës pas dorëheqjes së ofruar nga prokurorët e komunitetit serb të kësaj prokurorie, ku nga Kryesuesi Maloku u njoftua me veprimet që janë marrë dhe janë duke u marrë lidhur me situatën e re të krijuar në këtë prokurori.