Kryetari i Prishtinës mbështet marshin e “Liria ka Emër”, ndryshe nga LDK-ja

Prishtinë | 01 Pri 2023 | 22:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se përkrahë marshin e “Liria ka Emër”, i cili do të mbahet të dielën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Me këtë mbështetje Rama, ka dalluar nga shefi i tij në LDK, Lumir Abdixhiku, i cili ende nuk është deklaruar se a do të marrë pjesë.

Pra, LDK-ja ende nuk ka dalë me një deklaratë, ndryshe nga partitë tjera – duke përshirë edhe atë në pushtet, VV-në – të cilat e kanë mbështetë këtë marsh.

Rama këtë e bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook, duke shkruar se me besim të thellë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, marshojmë që t’i tregojmë publikut vendas e ndërkombëtarë se krimet ishin kryer nga aparatura serbe.

“Me besimin e thellë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli, marshojmë edhe që t’i rikujtojmë publikut vendas dhe atij ndërkombëtar se shumica dërrmuese e krimeve çnjerëzore të kryera gjatë kohës së luftës nga aparaturat shtetërore e paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile të Kosovës mbeten të pandëshkuara, e rrjedhimisht përqindja më e madhe e kryesve të atyre krimeve padrejtësisht të lirë. Prandaj, nesër #MarshojmëPërDrejtësi për viktimat e luftës!”, ka shkruar Rama.

Të ngjashme