Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas njoftimit nga gazetari Shkumbin Kajtazi, se gjatë ditës së sotme ka pranuar një kërcënim nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Sipas AGK-së , gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se Bahtiri e ka marrë në telefon atë dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese dhe sharje.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Policia dhe Prokuroria që këtë rast ta trajtojnë me prioritet dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë, thuhet në reagim.
Kërcënimi ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi vjen pas publikimit të një artikulli të publikuar në gazetën “Metro”, ku tregohej për punësimi e një vajze në pozitën e shefes së kabinetit se kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kujtojmë se ky kërcënim shënon rastin e 13-të më radhë të ndodhur ndaj gazetarëve përgjatë këtij viti, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.