Smajl Latifi, Kryetar i Rahovecit, i ka bërë thirrje Prokurorisë të arrestojë imamin e xhamisë së Fortesës, Bedri Bytyçi, i cili bëri thirrje hoxhallarëve të mos shkojnë na varrimin e Hilmi Haradinajt.
E këto cilësime të imamit po cilësohen si raciste nga kreu i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Në një deklaratë për Gazetën Express, kreu i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është treguar i ashpër ndaj deklaratave të imamit. Ai ka thënë se është e paimagjinueshme se si një imam mund të përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj personave të cilët kanë dhënë shumë për Kosovën.
Thirrjet e Bedri Bytyqit, imam në fshatin Fortesë, kreu i Rahovecit i ka quajtur fashiste dhe raciste.
“Ato thirrje përveç që janë fashiste janë edhe thirrje raciste. Të paimagjinueshme nga logjika e shëndoshë e njerëzve normal që kanë vuajtur për këtë vend, i kanë dhënë njerëz këtij vendi. Këtyre thirrjeve raciste, fashiste të këtij imani, që aksidentalisht ka shërbye në fshatin Fortesë së komunës së Rahovecit, besoj që nuk është e mjaftueshme t’iu përgjigjen me një përzënie që ia kanë bërë përfaqësuesit e fshatit”, thotë Latifi.
Bedri Bytyqi, imam i një xhamie në Rahovec para pak orëve ka shkelur të gjitha rregullat e Bashkësisë Islame kur ka dhënë vlerësime se në ceremoninë e varrimit të babait të Ramush Haradinajt nuk duhet të shkojnë hoxhallarët. Statusin, pas pak minutave ky imam i ka fshirë e më vonë e ka mbyllur edhe llogarinë në Facebook.
Ndërkohë, Kryetari i Rahovecit ka deklaruar se prokuroria e shtetit duhet që të nisë hetime lidhur me gjuhën e përdorur nga imami i këtij fshati.
“Nuk janë të mjaftueshme as distancimet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Por mendoj që organet e shtetit duhet të lëshojnë flet-arrest për këta individ që përodrin gjuhë raciste”, thotë ai.
Ndërkohë, Latifi deklaron se ka informacione nga bashkëfshatarët se Bedri Bytyqi është përzënë nga pozita e imamit të fshatit Fortesë. Pyetur nëse e ka njohur më herët imamin, Latifaj jep një përgjigje interesante.
“As që kam dëshirë me e njoftë. Mua më informuan që fshatarët e kanë përzënë nga fshati këtë person. Unë iu kërkojë organeve të shtetit që të merren me këtë rast”, thotë ai.