Në organizimin e Qendrës Rinore SHL-Kosova në Rahovec, sot u mbajt takim me Organizatat Joqeveritare të cilat veprojnë në Komunën e Rahovecit.
Qëllimi i takimit ishe formimi i një rrjeti të OJQ-ve qoftë formal apo joformal. Të pranishëm në këtë takim ishin Smajl Latifi, Kryetar i Komunës së Rahovecit, Ervin Hoxha drejtor i DKRS, Ramadan Rama përfaqësues nga OJQ ”Humaniteti”, Adelina Paqarizi, drejtoreshe e OJQ “Hareja”, Gardalin Shtavica nga OJQ ‘’Hardhfest’’ dhe Xhylferije Bytyqi nga shoqata e të Verbërve.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili mori pjesë në këtë takim u shpreh se ky rrjet duhet të formalizohet dhe në përputhshmëri me ligjin dhe se formalizmi i rrjetit do të jetë më profitabil ngase i mundëson që OJQ-ve të e reja të fuqizohen.
“Ne ju premtojmë se do të marrim përsipër mbështetjen e këtij këshilli”, u ka thënë përfaqësuesve të OJQ-ve Kryetari Latifi.
Ervin Hoxha, drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport shtoi se është i hapur për çfarëdo nevoje që Organizatave Joqeveritare ju nevojitet.
Në fund të takimit të gjithë të pranishmit u dakorduan, që ky rrjet të formalizohet dhe të ftohen edhe organizatat tjera të Komunës, për takimin e radhës që do të mbahet me datë 17.04.2018, në të cilën takim do të formohen edhe grupet punuese.