Kryetarja e Preshevës përshëndet propozimin e MSH-së ku kërkohen dy doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka përshëndetur propozimin e MSH-së që për hyrje-daljet në Kosovë të kërkohen dy doza të vaksinës pa testin PCR.

Sot ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka propozuar masa të reja kundër pandemisë COVID-19, ku ndër të tjera hiqet kërkesa për tri doza të vaksinës ose dy doza dhe testi PCR që ishte në fuqi, raporton Gazeta Express.

“Përshëndes propozimin për ritkhimin e hyrje-daljeve në Kosovë pa certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza dhe pa testin PCR me dy (2) doza, të njoftuar sot personalisht në media nga Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, z.Rifat Latifi”, ka shkruar Sinani.

Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë është mbledhur sot për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja.

Në takim është vendosur që të lehtësohen masat e marra gjatë muajit janar.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi bëri të ditur se kanë rekomanduar lehtësim të masave Anti-COVID, të cilët do të miratohen nesër dhe të shtunën do të hyjnë në fuqi.

Latifi ka treguar se ora policore do të fillojë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, ndërsa gastronomia do të punojë deri në orën 23:00.

Ndërsa, të gjithë ata që do të hyjnë në Kosovë duhet të dëshmojnë se kanë marrë dy doza të vaksinës.

Ata që kanë një dozë të vaksinës, duhet ta kenë edhe testin PCR.

Po ashtu, maska pritet të hiqet në ambientet e jashtme dhe fitneset të hapen.

Latifi bëri thirrje që çdo veprimtari, së cilës i janë lehtësuar masat, duhet që të pranojnë vetëm ata qytetarë që kanë dy doza të vaksinës.

Të ngjashme