Kryeziu: Kjo qeverisje na solli gënjeshtra, bllokada, largim të njerëzve dhe dobësi ndaj Serbisë

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu ka reaguar për siç ka thënë ai për gjashtë vjet e  gjysmë të qeverisjes së Kurtit janë treguar vetëm fjalë të bukura, por zero vepra.

Ai ka renditur disa nga çështjet e të cilat sipas tij nuk janë realizuar.

“Kjo qeverisje na solli gënjeshtra, bllokada, largim të njerëzve dhe dobësi ndaj Serbisë. Ne në PDK besojmë në punë, në infrastrukturë reale, në energji të re, në shëndetësi funksionale, në mbrojtjen e tokës kombëtare dhe në një shtet sovran pa kompromise”, ka thënë ai.

Postimi i tij i plotë:

Sot po ju flas pa dorëza, me fakte, jo me premtime boshe. Sepse 6 vjet e gjysmë qeverisje e Kurtit na kanë treguar qartë fjalë të bukura, por vepra zero. Le ta shohim së bashku realitetin që po e jetojmë.

A ka përfunduar rruga Prizren–Tetovë?Jo! Na kanë gënjyer. Premtuan në vitin 2021 se do të përfundonte shpejt, ndërsa sot, në vitin 2026, ende punohet vetëm në anën tonë, ndërsa Maqedonia as që ka nisur punimet. Nga premtime, vetëm në letër.

A u ndërtua Parku Solar 100 MË në Rahovec?Jo! Na kanë gënjyer përsëri. Bënë ceremoni, e paraqitën si sukses, por punimet reale ende nuk kanë nisur siç duhet. Fjalë, jo energji.

Autostrada e Gjilanit?Për 6 vjet e gjysmë, që nga tetori i vitit 2019, asnjë metër asfalt i ri nuk është shtruar realisht në atë aks kryesor. Populli i Anamoravës po pret, po duron dhe po humb kohë e para çdo ditë. Ky është një dështim i madh infrastrukturor.

Energjia, skandali më i madh.Në 6 vjet e gjysmë nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik i rëndësishëm. Qeveritë e kaluara ndërtuan mbi 230 MË energji nga era dhe dielli. Ndërsa kjo qeveri bllokoi mbi 1000 MË nga kompani amerikane, duke pretenduar se “shteti nuk fiton”. U bllokuan edhe 892 MË projekte të gatshme. Nuk jepen leje, nuk jepet tokë dhe urdhërohet politikisht që KOSTT të mos i lidhë në rrjet, pavarësisht detyrimeve ligjore.

Dhe çfarë bëhet? Blihet energji nga Serbia dhe Vuk Hamoviqi, krijohen përfitime private dhe pengohet zhvillimi. Kjo nuk është qeverisje, kjo është sabotim i së ardhmes energjetike të Kosovës.

Çmimet dhe pagat:Hyni në market, çmimet janë si në Zvicër apo Gjermani, por pagat tona janë dhjetë herë më të ulëta. Dhe 400 milionë euro subvencione, ku shkuan? Çmimet nuk u ulën dhe prodhimi vendor nuk u rrit.

Shëndetësia dhe largimi i njerëzve: 400 mijë bashkatdhetarë kanë lënë Kosovën në 5 vjet. Pse? Sepse nuk ka sigurim shëndetësor universal. U premtua nga 1 janari 2020, por sot jemi në vitin 2026 dhe ende nuk e kemi. Njerëzit presin nga 6 muaj deri në 2 vjet për një termin. Ndërkohë, Maqedonia po përfiton 200–300 milionë euro nga shërbimet shëndetësore që po ua ofron pacientëve tanë. Turp!

Toka e bukës: U premtua: “Do ta ruajmë tokën e bukës”. Sot po ndërtohen objekte në ara të klasit të parë, në Llukë. Ku është premtimi?

Xhipat e zinj: U premtua: “Nuk do të ketë xhipa të zinj”. Sot numri i tyre është dyfishuar. Janë shpenzuar qindra mijëra euro të taksapaguesve për makina luksoze.

Marrëveshjet me Serbinë:U premtua: “Nuk do të bëjmë marrëveshje”. Por Elektroserveri shet energji më lirë për serbët jashtë kontrollit. Dhe kulmi: njohja e dokumenteve nga strukturat paralele serbe për lindje, martesë dhe vdekje.

Strukturat paralele nuk kanë qenë kurrë neutrale, ato kanë qenë instrument i Serbisë. Tani po u jepet fuqi juridike brenda shtetit tonë. Kjo është një derë e hapur për pasoja demografike dhe juridike. Nuk mund t’i luftosh strukturat paralele duke i legalizuar dokumentet e tyre.

Bashkatdhetarë,

Kjo qeverisje na solli gënjeshtra, bllokada, largim të njerëzve dhe dobësi ndaj Serbisë. Ne në PDK besojmë në punë, në infrastrukturë reale, në energji të re, në shëndetësi funksionale, në mbrojtjen e tokës kombëtare dhe në një shtet sovran pa kompromise.

Të ngjashme