Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se kërkesa e degës së PDK-së në Prizren për vendosjen e 6 shtatoreve të heronjve të UÇK-së paraqet kthim të kësaj partie nga praktikat e opozitarizmit polarizues në nivel lokal.
Madje është shprehur qëndrimi se përdorimi përkatësisht keqpërdorimi i sakrificës së heronjve apo emrave të tyre për përfitime partiake, aspak nuk e nderon sakrificën e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, përmes rrjeteve sociale ka pohuar: “Ka ardhur koha që t’i ruajmë dhe t’i nderojmë gratë dhe burrat të guximshëm, që kanë sakrifikuar aq shumë, nga ata, të cilët po vazhdojnë ta keqpërdorin dhe partizojnë sakrificën e tyre”.
Sipas tij, qytetarët e kësaj komune tashti duhet të jenë më aktivë dhe të përfshihen në këtë debat.