Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur takim me anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA në lidhje me mosakreditimin e 40% të programeve në universitetet publike e private, raporton Ekonomia Online.
Ishin rektorët e këtyre universiteteve të cilët të enjten, në këtë komision, vendim e kanë konsideruar joligjor dhe politik, sipas tyre, kanë kërkuar shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ose në të kundërtën do të mbajnë greva e protesta.
Por anëtarët e Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, mohojnë se kanë të bëjnë me vendime politike. Ata pohojnë se nuk iu intereson politika.
Anëtarja e KShC-së, Rozafa Koloqi, tha se në mbledhjen e djeshme të rektoreve u përmend që ka ndërhyrje politike në këtë këshill, por ajo tha se politika nuk ndërhyn.
Sipas saj, nëse kjo ndodh atëherë Kosova nuk mund te jetë pjesë e ENKA-s dhe EQAR-in.
“Neve nuk na intereson politika, politika ka marr mesazh që nëse ndërhyn për 700 vjet le ta harron ENKA-n dhe EQAR-in”, tha Koliqi.
Ajo tha se programet që nuk janë akredituar nuk e dëmtojnë studentin sepse studentët mund vazhdojnë studimet por nuk mund të regjistrohen studentë të rinj në atë program.
“Këto vendime nuk i afektojnë studentët e regjistruar, ata do vazhdojnë studimet, programi që i është hequr akreditimi nuk kanë të drejtë me regjistruar studentë të rinj ata mund të vazhdojnë”, tha ajo.
Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, tha se këtë vit ka qenë një numër i madh i programeve ku kanë shikuar se a i plotësojnë kushtet e kriteret sipas legjislacionit në fuqi.
“Gjitha vendimet janë marrë duke u bazuar në rregullatorin ligjore dhe në këtë proces në mbledhjen e fundit i kemi shqyrtuar disa programe të reja ku kanë qenë 104 programe që kanë hy në vlerësim, 53 kanë qenë nga institucionet publike dhe 51 private”, tha ai
Luboteni tregoi se janë refuzuar 107 programe, sipas tij, refuzimi ka ardhur për shkak të mos përmbushjes së kritereve.
“Arsyeja që janë refuzuar këto programe kanë qenë se nuk i kanë përmbushur kriteret që kërkohen në udhëzimin administrativ”, tha Luboteni.
“Nuk mundemi me i kaluar programet që nuk i plotësojnë kriteret”, shtoi ai.
Luboteni shtoi se synimi i tyre është ngritja e cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Nëse duam ta ngrisim cilësinë e arsimit në këtë vend që nuk është në nivel të duhur kjo është rruga e vetme, e dimë që do jetë e dhimbshme e do ketë kundërshtime e protesta por ajo është çështje tjetër neve na intereson vetëm ngritja e cilësisë”, tha ai.
“Ne rinisë do i ofrojmë arsimim kualitativ dhe nuk do heqim dorë në asnjë moment”, shtoi Luboteni.
Kryesuesi i Komisionit, Ismajl Kurteshi tha se rektorët dje kanë paralajmëruar grevë në shenjë proteste për mos akreditimin e disa prej programeve. Ai tha se kërkon nga ta që të sqarojnë arsyen e mosakreditimit dhe nuk dëshiron si komision të bëj ndërhyje tek ky organ.
Kryesuesi i Komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se kërkon nga ta që të sqarojnë arsyen e mosakreditimit dhe nuk dëshiron si komision të bëj ndërhyje tek ky organ.
“Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur dhe ne i respektojmë pavarësinë në marrjen e vendimeve por si çdo organ në këtë shtet duhet të punoj në kuadër të ligjeve dhe për ne si komision nuk ka qëllim me ndryshe apo modifikua qëndrimet tuaja por duam të dimë se ato vendime që i keni ndërmarrë të jenë në pajtueshmëri me ligjet e kriteret me të cilat ju punoni”, tha Kurteshi, raporton EO.
Kurteshi tha se ky organ dhe rektorët duhet të vazhdojnë komunikimin mes tyre sepse greva nuk është zgjedhje.
“Detyrë e jona që të kërkojmë nga ju, rektoret kanë deklaruar se nuk janë të interesuar të bisedojnë me ju dhe do të shkojnë në grevë por ju duhet të komunikoni dhe në rast të mos pajtimeve duhet të iu drejtohen organeve të shqyrtimit te ankesave”, tha ai.
Deputetët pyeten për programe në veçanti se cilat kritere nuk i kanë përmbushur dhe a kanë pasur ndonjë presion nga ministri për mosakreditimin e programeve, gjë që ata e mohuan një mundësi të tillë.
Vjollca Krasniqi tha se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka themeluar komisionin e ankesave dhe gjitha institucionet e arsimit kanë mundësinë e ankimit për gjitha vendimet që merr këshilli, siç ka qenë refuzimi i akreditimeve.
Në fund kryesuesi i komisionit, Ismajl Kurteshi tha se këshilli e ka mbështetjen e komisionit nëse punojnë bazuar në ligj.
“Ju ftoj si këshill dhe rektorët të takohemi dhe sqaroheni mes vete sepse është në interes të vendit dhe rektorët të i drejtohen komisionit të ankesave nëse nuk arrini të sqaroheni”, tha ai
“Këshilli duhet të merr vendime të pavarura në përputhje të plote me ligjin dhe ne si komision nëse punoni bazuar në ligj e udhëzime administrative do keni përkrahjen tonë”, shtoi Kurteshi.
Përndryshe, rektorët e universiteteve publike e kanë quajtur të jashtëligjshëm dhe politik vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e programeve në këto universitete.
Pikërisht në Komisionin për Arsim, rektorët të enjten kanë paraqitur ankesat e tyre lidhur me mosakreditimin e programeve, e që sipas tyre, një vendim i tillë është arbitrar, si dhe politikë e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, ata kishin deklaruar në fillim që duhet të mbyllen universitetet e reja.