Policia e Serbisë po kthen qytetarët e Kosovës të cilët me vetura po mësyjnë shtetin fqinjë e që nuk kanë autorizimet për ngasjen e veturave të përkthyera në gjuhën serbe. Noterët po detyrohen që shqiptarëve që synojnë të shkojnë në Serbi t’iu shkruajnë autorizimet edhe në serbisht.
Ai ka bërë 75 kilometra deri në pikën kufitare të Depcës.
Por, ndonëse kishte të gjitha dokumentet e nevojshme për të kaluar me veturën e të vëllait të tij në Serbi, Flamur Ejupi nuk ka arritur të kalojë kufirin me veturë.
Autorizimin që kishte marrë tek një noter në Prishtinë për të ngarë veturën që kishte në emrin e vëllait e kishte vetëm në gjuhën shqipe, që nuk është pranuar nga policët kufitarë.
“E kalova kufirin e Kosovës mirëpo sapo arrita në anën serbe më urdhëruan se duhet të kthehem apo të kaloj pa veturë, pasi autorizimin e kisha vetëm në gjuhën shqipe. Vetura është e regjistruar në emrin e vëllait tim dhe për ta ishte e papranueshme që ishte vetëm në gjuhën shqipe”, thotë Ejupi.
Dy orë në kufi “sherri” i autorizimit shqip
Ai ka thënë se ka pritur rreth dy orë në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, derisa një familjar i bashkëshortes së tij ka shkuar nga Presheva për ta marrë me veturë të regjistruar në Serbi.
“Një person tjetër u kthye mbrapsht pasi edhe ai kishte të njëjtin problem”, tregon burri rreth 40 vjeç.
Ai ka thënë se vendi ku kanë pritur ishte shumë i bezdisshëm.
“Dy orë aty me fëmijë. Ata nuk rrinin. Kur dilnin nga vetura ishte shumë ftohtë”, thotë Ejupi.
Sipas tij, gjithë këto lojëra po bëhen nga ana e Serbisë, pasi pala kosovare nuk është treguar syçelë për të siguruar materiale të nevojshme siç është letërngjitësi që do të mundësonte respektimin e Marrëveshjes për qarkullimin e lirë për dy palët. (Gazeta Zeri)