Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se Drejtorati i Inspektoratit Qendror të Pylltarisë dhe Gjuetisë, në bashkëpunim me Agjencia Pyjore e Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në Zveçan për rikthimin në pronësi dhe administrim të një objekti që, sipas institucionit, ishte uzurpuar dhe shfrytëzohej nga struktura paralele në veri të vendit.
Sipas komunikatës, aksioni është realizuar në bazë të vendimit të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, për racionalizimin e hapësirave administrative dhe optimizimin e përdorimit të pronës publike.
“Ky veprim është ndërmarrë në bazë të vendimit të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, për racionalizimin e hapësirave administrative dhe optimizimin e shfrytëzimit të pronës publike”, thuhet në komunikatë.
Tutje, MBPZhR-ja ka bërë të ditur se përmes këtij procesi synohet riorganizimi i hapësirave institucionale dhe përdorimi më efikas i resurseve financiare.
“Përmes këtij procesi po bëhet riorganizimi i hapësirave institucionale dhe orientimi më efikas i resurseve financiare, me qëllim që mjetet publike të ridrejtohen drejt investimeve konkrete për fermerët dhe zhvillimin e sektorit bujqësor”, thuhet më tej.
Sipas ministrisë, ky veprim është pjesë e një procesi më të gjerë të riorganizimit institucional dhe optimizimit të shfrytëzimit të pronës publike, me synim rritjen e efikasitetit administrativ dhe uljen e kostove operative.
“Në kuadër të këtij procesi, MBPZhR synon zhvendosjen graduale të institucioneve vartëse në objekte publike, duke reduktuar shpenzimet e qirasë dhe duke forcuar menaxhimin e pronës shtetërore”, thotë komunikata.