Premier League e Rusisë në futboll do të kthehet këtë fundjavë pas tre muajve pushim, por rreziqet e përpjekjes për të rifilluar në mes të një pandemie janë theksuar shumë, pasi e gjithë skuadra e FK Rostovit është vendosur në karantinë kur gjashtë lojtarë u testuan pozitivë për koronavirus.
Njoftimi i testeve pozitive – dhe karantina e detyrueshme 14-ditore – u bënë të ditura të mërkurën, vetëm 48 orë para ndeshjes së parë të Rostovit, që e kishte në udhëtimin e largët në Soçi, transmeton KOHA shkrimin e AFP-së.
Vetë ndeshja për Rostovin është vendimtare për klubin nga jugu i Rusisë, i cili me gjithë vështirësitë financiare është i katërti në tabelë, vetëm tri pikë larg pozitave që dërgojnë në Ligën e Kampionëve, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të kampionatit.
Megjithatë, në fillim të qershorit presidenti rus i Premier Leagues, Sergey Pryadkin, paralajmëroi në mënyrë të padiskutueshme që klubet e goditura nga një koronavirus dhe të detyruara të karantinonin lojtarët e tyre thjesht do të duhej të humbnin çdo ndeshje. Asnjë shtyrje nuk do të lejohej me ligën që përballet me kohën për të përfunduar sezonin e ndërprerë.
Kampionati është planifikuar të përfundojë më 22 korrik, duke u lënë skuadrave pak javë për t’u përgatitur për fillimin e sezonit 2020-21, i paraparë të nisë nga 10 gushti.
Rusia ka numrin e tretë më të lartë të rasteve të regjistruara me koronavirus, në të gjithë botën, me gjysmë milioni njerëz të infektuar dhe me rreth 7.500 raste të reja që shfaqen çdo ditë. Është një nga vendet e fundit në Evropë që rifilloi sezonin e futbollit, të pezulluar që nga mesi i marsit kur u përhap pandemia.
Për Rostovin, që udhëhiqet nga ish-mesfushori i Rusisë, Valeri Karpin, të qenit i detyruar të karantinojë gjithë skuadrën e tyre për dy javë është një katastrofë e mundshme.
Pas udhëtimit për të luajtur ndaj Soçit, Rostovi do të jetë nikoqir i dy ndeshjeve të radhës ndaj Arsenal Tulas dhe Krasnodarit.
Por shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve tani janë në rrezik, përveç nëse mund të gjejnë një zgjidhje nga brenda. Me ekipin e parë që nuk mund të luajë, Rostovi do të duhej të llogariste në ekipin B apo ekipin e të rinjve.
Sidoqoftë, raportet e mediave ruse thonë se skuadra e të rinjve luajti një miqësore kundër ekipit të parë një ditë para testeve pozitive, që do të thotë se ata gjithashtu mund të dalin pozitiv dhe të izolohen, edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga klubi.