Emigrimi i shqiptarëve, një realitet i kahershëm me të cilin populli përballet edhe sot, rrëfehet në filmin “Kthimi” të Kastriot Abdylit.
Ky film i metrazhit të gjatë, sonte do të jepet premierë në Shkup, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një prej ekraneve të sallave të kinemasë “Cinelpexx” do të ndizet për të shfaqur këtë projekt filmik i bashkëfinancuar nga Agjencia e Filmit në Maqedoni dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.
Selman Lokaj, Hazir Sh. Haziri, Delphin Depardieu, Liridona Shehu, Safete Rogova, Sefedin Nuredini e të tjerë, përbëjnë kastën e aktorëve në rrëfimin që zbërthen kontradiktat e kulturës shqiptare dhe asaj euro-perëndimore si rrjedhojë e globalizimit dhe dyndjes njerëzore.
Ngjarja zhvillohet në një fshat shqiptar, ku si pasojë e gjendjes socio-ekonomike, çdo i ri ka ëndërr emigrimin në perëndim. Edhe personazhi kryesor, Iliri (Hazir Sh. Haziri) ndjek atë ëndërr dhe emigron në Francë me një vizë false ku më pas martohet me një franceze Sabinen, që luhet prej aktores së njohur Delphin Depardieu.
Regjisori Abdyli ka thënë për gazetën se “Kthimi” e ka zanafillën te synimi për të treguar një të vërtetë me të cilën populli shqiptar është përballur në të kaluarën, por edhe sot.