Pse mendojmë se Europa gjithmonë kërkon zgjidhje të këqija për ne? – kur kemi prova të pafundme, tash e tri dekada, që çdo propozim që ka ardhë prej Europe, na ka sjellë dritë e përparim?
Thjesht, kjo parahati e jona me Europën, është e pakutimtë, ndonëse, në disa aspekte, mund të lidhet me trashëgiminë e keqe dhe një llavë historike, që e ka pasë thellë në zemër sundimin osman dhe gjakim shkëputjen e shqiptarëve prej Europe.
Si është e mundur, që mes nesh, ka ende mendje të mykta e të pajrosura, që vazhdojnë të ushqehen me disa vargje të Fishtës e t’i përdorin si parulla kundër Europës?
Dhe kurrë nuk e përmendin Fishtën, kur fliste për lartësitë e këtij qytetërimi dhe vajtonte fatin e mjerë të shqiptatëve, që jetuan ndaras tij. Fundja, krejt përpjekja e tij intelektuale e krijuese, i lidhte me një qëllim madhor3ta rilidhte edhe njëherë kombin e tij me oksidentin ose siç thonte Zef Pllumi, ta konsolidonte arsimin e kulturën oksidentale të popullit.
Të kujtojmë vetëm fillimin e “Lahutës së Malcis” dhe vajtimin e Fishtës për fatin e zi të shqiptarëve, dhe atëherë, po deshtëm, mund ta kthjellojmë pak shikimin.
Prandaj, kjo energji antiperëndimore, e përqafuar frikshëm nga sundimtarët e sotëm të Kosovës dhe një tufë injorantësh të bashkuar rreth pushtetit, nuk ka lidhje me interesat e Kosovës, prandaj përbën rrezik shumë të madh për vendin tonë, sepse, në këto hapësira të serta e pa vlera të konsoliduara politike, sa herë pakohet liria perëndimore, rritet despotia lindore.
E, në mendjet e sundimtarëve joperëndimorë, nuk ka liri e mendje të lira, nuk ka drejtësi e barazi.
Pra, ka veç nënshtrim e fuqi të pushtetit, i cili pretendon se zotëron të vërtetën e drejtësinë, të cilat i shpalos e mbron si të ishin dogma qiellore.
Pushtetet e tilla, të lidhura me qeveri populiste, empirikisht dihet se e shkretojnë jetën e qytetatëve, prapa lënë shumë mjerim, teksa marshojnë në maratonën e çmendurisë, për të shenjtëruar udhëheqësin dhe sistemin e tij të qelbur.
Pak a shumë, diçka e tillë po ndodh në vendin tonë, ku, një sistem i tërë mundohet ta shenjtërojë udhëheqësinë dhe sistemin e tij.
Dhe këtu kemi një mospërkim të thellë me demokracinë perëndimore dhe filozofinë e këtij qytetërimi që beson te “maksima sokratiane se fillimi i mençurisë qëndron te njohja e injorancës dhe kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit tonë ndaj shoqërisë” siç shkruan nobelisti F. H. Hayek te libri monumental “Kushtetuta e lirisë”.
Prandaj, te ky qytetërim është ngjizë dëshira përhershme për perfeksionim, ecje përpara, kritika si formë e mendjës së pjekur.
Prandaj, ky qytetërim u ka dhënë vlerë, njohjës së injorancës, të metave, limiteve, kërkimfaljes, pendesës.
Më duket sikur parahatia e jonë me Europën, ka sajuar tema që krijojnë heneqe.
E, lam frikë se këtë parahatin tonën me perëndimin, kundërshtarët tanë po e kapitalizojnë në mënyrën më të mirë.
Kosovës, rreziqet më të mëdha i vijnë nga brenda, ku, një prej krye rreziqeve është parahatia jonë me perëndimin.