“Ku është opozita?” është pyetje që dëgjohet shpesh. Pastaj shpaloset zhgënnjimi pse ajo nuk po bën më shumë, për ta frenuar arrogancën e qeverisë Kurti. Por, në këtë rast, po harrohet se opozita në Kosovë ekziston gati simbolikisht. Pse? Sepse votuesi shqiptar ka vendosur në zgjedhjet e kaluara parlamentare që në Kosovë të mos ketë opozitë reale. Votuesi ka vendsour që të gjithë fuqinë t’ia japë një partie e një personi: LVV dhe Albin Kurtit.
Ja ilustrimi: AAK e Haradinajt ka një deputet më pak se sa Lista Serbe!!! Merrene me mend: Ramush Haradinaj ka më pak fuqi në Kuvend se sa Millan Rakiqi! LDK ka vetëm shtatë deputet më shumë se sa Lista Serbe. PDK ka nëntë deputet më shumë se sa Lista Serbe. Pra, partia që e ka formuluar projektin e pavarësisë (LDK) dhe dy që parti që kanë dalë nga procesi i luftës çlirimtare, janë refuzuar keqas nga elektorati shqiptar.
Prandaj opozita nuk ka sot fuqi, që ta frenojë mujsharinë e Kurtit. Votuesi duhet të kuptojë se e ka lënë vendin pa opozitë reale. Më saktë, duhet ta kuptojë se i ka dhënë Kurtit pushtet absolut. Votuesi, nëse është i pakënaqur, duhet të distancohet nga kjo politikë. Nëse votuesi i 14 shkurtit 2021 është i kënaqur me këtë qeverisje edhe nën sanksione, në izolim dhe me krizë gangrenoze në veri, e cila i konvenon Rusisë, mund ta mbajë Kurtin në pushtet, deri sa të dorëzohet vetë Kurti.
Pra, duhet të kuptohet, megjithëse me vonesë, se votuesi me dorën e vet e ka shkatërruar opozitën- mundësinë e korrigjimit të qeverisë arrogante.
Natyrisht opozita duhet të kërkojë edhe rrugë alternative, sepse dështimi i qeverisë Kurti po e fundosë shtetin. Por, ato rrugë alternative duhet të jenë brenda kuadrit ligjor e jo të dhunshme, si ato që përdori në opozitë LVV.