“Kuarti kinez” i Prishtinës në kërkim të namit të dikurshëm

Prishtinë | 18 Nën 2018 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

“U takuam së pari në kafenenë ‘Romantika’, kish sy të kaltër e fytyrën pika-pika”, janë vargjet me të cilat nis një prej këngëve të famshme të kongëtarit doajen të muzikës zbavitëse në Kosovë, Sabri Fejzullahu. Ky vazhdon të këndojë edhe tash, kur ka shkelur të 70-at, më shumë se 50 prej të cilave i ka të mbushura me këngë. Plot prej tyre kushtuar dashurisë. Por kafeneja “Romantika” s’është më e hapur. E braktisur, e mbyllur dhe e lënë pas dore, është kafeneja që ka qenë e mbushur me plot artefakte, të cilat Misini, tashmë i ndjerë, i kishte mbledhur me xhelozi.

Kafenenë “Romantika” nuk e ka bërë të famshme kënga e Fejzullahut, e as anasjelltas. Përtej kësaj, kjo këngë e viteve ’90 të shekullit të kaluar shpreh famën që kjo kafene dhe i gjithë lokacioni ku ndodhej ajo ka pasur në atë kohë. Ai që njihet si “Kuarti kinez”, bashkë me kompleksin “Qafa” dhe “Kurrizin” në Dardani, ishin tri miniqendrat e koncentrimit të shqiptarëve në atë kohë, shkruan Koha Ditore.

Në fund të viteve ’80, po aq famë ka pasur edhe ëmbëltorja “Raguza”. Vendi ideal për gjimnazistët e “Sami Frashërit” për të kaluar pushimet aty. Kësaj ëmbëltoreje nuk i gjenden gjurmët.

Në fakt, sot i gjithë kompleksi është i lënë pas dore. Ishte ndërtuar në vitin 1983 me qëllim që t’u shërbente zanatlinjve. Sot pak të tillë ka në të. U ndërtua nga shteti e lokalet u blenë nga të interesuarit. Dominojnë dyqanet që servojnë ushqim të shpejtë dhe të lirë.

Të ngjashme