Kosova ka humbur shansin që të bindë serbët për të votuar ndryshimet kushtetuese. Andaj, iniciativa e Presidentit për transformimin e FSK-së ka qenë plotësisht ligjore dhe kushtetuese.
Kështu ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi gjatë një ligjërate të mbajtur në Kolegjin ISPE.
Ai ka thënë se ushtria do të bëhet në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo është kërkesë e tyre që në këtë proces të përfshihet dhe Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.
“Ne duhet të kemi një ushtri që të jetë në mbikëqyrjen e NATO-s të jetë anëtare e NATO-së, partner me të gjithë aleatët. Pra, qëllimi ynë është që të bëjmë një ushtri të tillë. Partnerët ndërkombëtarë kërkojnë që ne ta kemi Listën Serbe që të votojmë ushtrinë me ndryshimet kushtetuese”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se presidenti ka kërkuar një afat kohor për t’u proceduar projektligji në kuvend, në mënyrë që të jepet edhe një mundësi e fundit që transformimi të ndodhë me ndryshimet kushtetuese.
“Nëse nuk bëhen më ndryshime kushtetuese, po them që Kosova do ta ketë ushtrinë e vet, do ta ketë të ndërtuar nën mbikëqyrjen e NATO-s”, ka thënë ai.
Pos kësaj, zëvendëskryeministri Kuçi ka folur edhe për ndalimin e kreut të AAK-së dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë. Ai tha se ndalja e Haradinajt në Francë është e padrejtë.
“Është e padrejtë në shumë aspekte; e para duhet të them që Serbia nuk ka drejtë që të bëjë veprime dhe kërkesa të tilla në Interpol për diçka që nuk ka juridiksion dhe për diçka që ne e konsiderojmë luftë të drejtë dhe të pastër; e dyta Haradinaj ka kaluar dy herë në mekanizmat ndërkombëtarë; dhe treta angazhimi i tillë është që sa më shpejtë ai të kthehet në familjen e vet”.
Kuçi u shpreh i bindur “1 milion për qind” se Haradinaj nuk do të ekstradohet në serbi.
Ndërsa duke folur për situatën aktuale ndërkombëtare dhe në veçanti atë që ka të bëjë me integrimet evropiane dhe çështjet e sigurisë, Kuçi tha se ndër idetë e shumta për Ballkanin, është edhe ideja e Unionit Ballkanik.
Mirëpo sipas tij para se të jetësohen ide të tilla nevojitet ndryshim i ambientit shoqëror dhe politik.
E për këtë ndryshim tha se është e nevojshme njohja ndërmjet shteteve të Ballkanit dhe përmirësimi i raporteve ndërmjet tyre.