Kujt i besojnë e kujt jo shqiptarët e Kosovës?
Prishtinë | 18 Sht 2024 | 07:52 | Nga Milazim Krasniqi
- Shumë nga shqiptarët në Kosovë nuk u besojnë atyre që u flasin për guxim e trimëri. Pse? Shumica absolute e kanë përjetuar dhunën serbe, poshtërimin e rëndë, duke qenë të pambrojtur. E kanë në kujtesë edhe kur nuk e thonë. Prandaj duken si të prekur nga ndonjë reaksion alergjik, kur dikush u flet për guxim. A e kanë gabim? Gabim e kanë, sepse akte guximi e sakrifice ka pasur me mijëra raste, ama ashtu ndihen nga përvojat e tyre personale. Kjo gjendje kurrë nuk është trajtuar në mënyrë të hapur e profesionale në shoqërinë tonë. Është fshehur trauma, ndërsa trauma e fshehur ka prodhuar mllef, urrejtje, mohim, gjë që ka pasur ndikim edhe në vullnetin politik përkatësisht në karakterin populist e gënjeshtar të qeverisjes.
- Shumica e shqiptarëve në Kosovë nuk u besojnë intelektualëve e gazetarëve, sepse na shohin si hipokritë e mercenarë. E drejta, nuk janë të gjithë të atillë. Përkundrazi, intelektualët dhe gazetarët në këtë vend janë të margjinalizuar, nën presion politik e ekonomik dhe në shumë raste të injoruar me planifikim tipik neokolonial. Por faji i shkrimtarëve e gazetarëve është se nuk kanë arritë të kenë organizime profesionale më të forta, që mund t’i mbrojnë dhe mundësojnë vlerësimin më korrekt të punës së tyre. Dobësia e organizimit e ka faturën e lartë në këtë mes. Dihet se pa aktivizmin e intelektualëve dhe pa respektin ndaj tyre, injoranca dhe arroganca politike triumfon, siç ka triumfuar tashmë.
- Ndonëse nuk e thonë haptas, shqiptarët e Kosovës janë të prirur t’u lakmojnë të huajve, të bindur se ata janë bartës të fuqisë dhe ngase ndaj tyre ndihen inferior. Realisht ambasadorët e shteteve të Kuintit, emisarët për dialogun të shteteve të fuqishme, ambasadorët e ndryshëm e diktojnë axhendën politike të Kosovës. Bile me këtë status që ka Kosova, si shtet i papërfunduar, kjo nuk mund të ndryshojë lehtë, gjë që shumë njerëz e nuhasin, gjë që i bën edhe më hipokritë. Dhe e zbehë vetëbesimin e atdhedashurinë.
- Shqiptarët në Kosovë shtiren sikur u besojnë bashkatdhetarëve, për shkak të varësisë nga paratë e tyre. Prandaj ua durojnë edhe injorancën në komunikim dhe agresivitetin në dasma e në komunikacion. Ky inferioritet ndaj bashkatdhetarëve, ka pasë zgjidhje, por zgjidhja ka kërkuar që njerëzit këtu të punojnë më shumë e të mos varen kaq shumë nga ndihmat e atyre.
- Shqiptarët duket sikur u besojnë politikanëve populistë, sepse në demagogjinë e tyre e shohin të përmbushur një pjesë të dështimit të vet. Kosova është shtet i vogël, shtet i varfër, shtet i papërfunduar, shtet me rrethim armiqësor, shtet me moskuptim ndërkombëtar, prandaj populistët tanë janë vetëm gënjeshtar. Gjendja e këtillë e Kosovës nuk ndryshohet me llafe të forta. Përkundrazi ajo mund të përkeqësohet, siç edhe e kemi pa që ka ndodhë me masat e BE-së.
- Shumë nga shqiptarët në Kosovë u besojnë lehtësisht mashtruesve ordinerë, (“liderëve lokalë të opinioneve”-Sartori.) Injoranca, analfabetizmi funksional pamundëson që njerëzit të kuptojnë atë që dëgjojnë, atë që shohin.
Konkludim: rezultati i mosbesimit shihet në këto drejtime: tendenca për të ikur masivisht jashtë Kosovës, nervoza ekstreme në komunikim, mungesa e shpresës për të ardhmen, mbyllja në vete, prirja drejt narrativave konspirative, refuzimi i diturisë, dominimi i komunikimit oral dhe vizuel, sadomazohizmi në sferën publike. Nëse në kushtet e okupimit mosbesimi ka qenë armë për mbijetesë, në kushtet e lirisë mosbesimi në vlerat tona autentike, bëhet shkak i fragmentimit, konfrontimit dhe prapambetjes. Për të gjitha këto tendenca e dukuri kërkohen studime, sepse hipotezat nuk mjaftojnë. Por, pak a shumë si në titullin e romanit të Markesit, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, në rastin tonë mund të thuhet se në vendin tonë “shkencën nuk ka kush ta bëjë.” Prandaj, vazhdojmë të ecim nëpër mjegull, vazhdojmë të flasim në tym. Rezultatet e regjistrimit nuk i kapin këto probleme. Ato e kapin vetëm rezultatin – shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët e traumatizuar, të tjetërsuar e të zemëruar me veten.