Ministri i sapozgjedhur i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën si ministër nga ministrja e deritanishme, Vlora Dumoshi, raporton Ekonomia Online.
Vlora Dumoshi ia ka dorëzuar sot detyrën e udhëheqjes së ministrisë, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Dumoshi e ka njoftuar ministrin Gashi me punët që janë realizuar në kohën kur ministri
Kujtim Shala, e më pas Dumoshi kanë udhëhequr MKRS-në. E ka informuar për sukseset e arritura si dhe me sfidat që është përballur MKRS-ja gjatë kësaj periudhe si dhe për projektet që janë në realizim e sipër.
Dumoshi ka përmendur punën që është bërë në fushën e kulturës, me rritjen e përkrahjes për organizimet kulturore në vend, mbështetjen e institucioneve vartëse të MKRS-së, ku secilin vit, buxheti për kulturë vazhdimisht është rritur.
Gjithashtu, u bisedua edhe për të arriturat dhe sfidat në fushën e sportit, pas ndërkombëtarizimit të tij, ku priten të finalizohen shumë projekte në infrastrukturën sportive.
Ministrja është shprehur se së fundmi ka takuar përfaqësuesit e sektorit të rinisë dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Ajo e informoi ministrin Gashi se MKRS-ja është duke e draftuar strategjinë e re për rininë, si dhe investimet e konsiderueshme që janë bërë për infrastrukturën për të rinj, duke krijuar hapësira të reja e moderne për ta.
Në kuadër të trashëgimisë, MKRS-ja ka proceduar Ligjin për Trashëgiminë, dhe kjo legjislaturë pritet ta votojë. Është bërë konservimi dhe restaurimi i objekteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve. U theksua se MKRS-ja ka mbështetur Institutin Arkeologjik për gërmime.
Ndërkaq, ministri i ri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u shpreh i kënaqur për punën e deritanishme që është bërë në MKRS, duke theksuar se ai do të përkushtohet që të punohet në bazë të programit qeverisës me qëllim të avancimit të performancës dhe realizimit të projekteve të rëndësishme në kulturë, sport, trashëgimi kulturore dhe rini.
Gashi ka thënë se do të angazhohet që objektivat e MKRS-së të arrihen plotësisht dhe premtoi se do të punojë në rritjen e bashkëpunimit edhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë në promovimin dhe përmirësimin e resorëve që mbulon ministria.
Kjo ministri do të vendoset në Prizren.