Heset Ademi ende ka pjesë të plumbit në këmbën e djathtë. E zhvesh çorapen që ta tregojë shputën e deformuar. Mezi po mbahet në të. Dhimbjet që po i shpeshtohen në pleqëri, po ia kthejnë shpesh edhe tmerret e luftës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ademi nga Skifterajt e Vitisë kishte ndjenja të përziera në natën e 24 marsit 1999. Iu gëzua fort lajmit se bombarduesit e NATO-s hodhën bombat e para kundër Jugosllavisë së dominuar nga Serbia. Slobodan Milosheviqi kishte nisur prej fillimit të vitit 1998 masakrimin e shqiptarëve të pafajshëm nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
77-vjeçari Ademi, natën e 24 marsit ktheu kokën nga qielli që të shikonte bombarduesit që po godisnin caqet serbe. Andej nga po vinte ndihma në emër të së drejtës humanitare. Por druante se në tokë do të hakmerreshin forcat serbe. Serbët e fshatrave fqinje ishin veshur në kuadër të njësiteve të rregullta dhe paramilitare në rrethinën e Vitisë.
Bota sytë nga Kosova
Bombardimet e NATO-s e kthyen vëmendjen e botës nga Kosova. “U gëzova shumë që nisi NATO-ja ta bombardonte Serbinë. E dija se çfarë mund të na priste, por më keq s’kish ku shkonte. Bile ish dikush edhe më i fortë se Serbia që me i kallxu çka është forca”, thekson Ademi.
Fillimi i luftës ajrore kundër Jugosllavisë ishte gjithashtu fillimi i periudhës më të përgjakshme në Kosovë, qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, thuhet në raportin prej 663 faqesh të organizatës “Human Rights Watch” të tetorit 2002, “Nën pushtetin e urdhrave: Krimet e luftës në Kosovë” .