Drejtori i Pronës dhe anëtari i komisionit të aksionareve të NPB-së, Dren Kukaj, i cili nga Lëvizja Vetëvendosje kaloi në partinë e Shpend Ahmetit, PSD, në një konferencë për medie e pranoi se ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha, i është ndaluar hyrja në Ndërmarrjen Publike Banesore.
“Ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv i është ndaluar qasja në objektin që menaxhon. Më 30 prill 2018 kemi marrë vendim që Hoxhën ta emërojmë ushtrues detyre sepse arsyet lidhen me profilin e tij dhe ka të bëjë me atë që nga të gjithë udhëheqësit e kemi parë si njeriu që i njeh punët brenda ndërmarrjes”.
Kukaj tha se sot në orët e hershme të mëngjesit Hajdar Hoxha ka kontraktuar një kompani private të sigurimit, pasi policia nuk i ka ofruar asistencë, për të tentuar të hyjë në NPB dhe të ushtrojë funksionin.
Ai është shprehur se llogaritë bankare të NPB-së janë të bllokuara, por u shpreh optimist që në ditët në vijim të zgjidhet ngërçi në ndërmarrje dhe të hapen llogaritë bankare në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa i marrë pagat, raporton Ekonomia Online.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit kryeshefi ekzekutiv ka kontraktuar një kompani sigurimi që t’u mundësohet hyrja, pastaj është kontaktuar policia. Kemi shkuar herët sepse nuk duam të shkaktojmë tollovi, të bëjmë skena por kjo me kërkesë të policisë na është pamundësuar. Përzgjedhja e një kompanie sigurimi ka qenë e domosdoshme sepse policia nuk na ka ofruar asistencë. Llogaritë bankare janë bllokuar por shpresoj që në ditët në vijim të zhbllokohen dhe punëtorët të mos mbesin pa paga”.
Kukaj ka thënë se ka ftuar një mbledhje në të cilën janë të ftuar edhe Egzon Azemi, edhe Qëndrim Sahiti, për të diskutuar çështjen e bordit të ndërmarrjes. Kukaj ka thënë se kanë kërkuar mendim shtesë edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik lidhur me atë se a kanë të drejtë që personat që u ka skaduar mandati të qëndrojnë në ndërmarrje.
Kukaj ka shtuar se janë shumë të shqetësuar me këtë situatë në NPB ku, sipas tij, njerëz në mënyrë të jashtëligjshme po qeverisin me atë ndërmarrje. Sipas tij, nuk është qëllimi i tyre kapja e ndërmarrjes por zbatimi i ligjit.
Kukaj ka bërë të ditur se do të bëjnë kallëzime penale për përgjimet e publikuara javë më parë ku protagonistë janë zyrtarë të VV-së dhe për qëndrimet, sipas tij, të paligjshme në ndërmarrje.
“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët tona ligjore. Kemi dashur që bordi të zgjedhet me konkurs, por na është pamundësuar t’i shohim aplikacionet. Edhe për përgjimet që dolën para disa jave, edhe për qëndrimet e paligjshme do të ngrisim kallëzime penale në prokurori. Veprimet tona kanë qëllim zbatimin e ligjit në ndërmarrje, nuk është çështje politike”.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha, ka thënë se do të kërkojnë asistencën e policisë për t’iu mundësuar qasja në NPB.
Hoxha ka thënë se nga muaji prill nuk është mbajtur asnjë mbledhje dhe se bordi i ndërmarrjes është jofunksional.
Hoxha është pyetur disa herë nga gazetarët nëse është apo jo anëtar i PSD-së së Shpend Ahmetit, por ai nuk e ka pohuar, por as mohuar një gjë të tillë.
“E kam një vendim nga emërimi si ushtrues detyre prej 30 prillit. Nga kjo datë kam pritur që ish-kryeshefi të më mundësojë funksionin. Sot kam tentuar të ushtroj këtë funksion por nuk më është lejuar. Nga muaji prill nuk është mbajtur asnjë mbledhje dhe bordi nuk është funksional. Është e pakuptueshme si mbahet kjo gjendje, por ne do të kërkojmë asistencë dhe nga policia dhe shpresoj të na mundësohet qasja në ndërmarrje. Nuk ka qenë ora 5, ka qenë pas orës 6.”