Eurodeputeti Eduard Kukan mendon se zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit janë, siç thotë ai, një hap i vogël përpara.
“Unë e bëj krahasimin me zgjedhjet e kaluara, të cilat i kam ndjekur po ashtu nga afër dhe mund te them se këto të fundit janë më të mira”, thotë për DW kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë.
Kjo është një garë ku ka fitues dhe të humbur, shton ai, kështu që kuptohet se një pjesë prej tyre kanë qenë të gëzuar me atë që po ndodh, “janë të kënaqur me shifrat”.
“Të tjerët janë përballë treguesve që nuk i kanë pritur. Por aktiviteti politik kështu e ka. Ajo që dua të theksoj është se fitues e humbës duhet të bëjnë gjithçka që të mbahet një klimë e qetë, ku atyre që janë duke punuar në komisione t’u krijohet mundësia që të bëjnë sa më mirë dhe sa më shpejt detyrën”, shprehet Kukan.
Ai nënvizon se, klima e qetë politike duhet të jetë një standard i pandryshuar në proceset zgjedhore. “Këtë herë situata ka qenë më e qete, kjo edhe falë marrëveshjes pozitë-opozitë që u arrit pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve. E përsëris, Shqipëria ka nevojë për një klimë të qetë në përballimin e zgjedhjeve. Kjo krijon besim dhe siguri tek njerëzit”, vijon Kukan.
Kukan pret pas zgjedhjeve krijimin e institucioneve të reja, bazuar në rezultatet e këtyre zgjedhjeve. “Fituesit të fillojnë menjëherë të realizojnë ato që kanë premtuar, duke treguar se kanë qenë seriozë në programet që kanë treguar gjatë fushatës”, shprehet Kukan, duke shtuar se nisur nga realiteti shqiptar, pret që të mos ketë bojkot të institucioneve nga opozita, shkruan TCH.