Blunt dhe Krasinski e sollën premierën botërore të filmit “A Quiet Place II”

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Çifti bashkëshortor, Emily Blunt dhe John Krasinski, janë bërë bashkë sërish për vazhdimin e dytë të filmit hit të lansuar në vitin 2018, “A Quiet Place”.

Filmi e shënoi premierën botërore në New York, me parakalimin e yjeve mbi qilim të kuq.

Dyshja e famshme e Hollywoodit, ka vendosur ta rikthejë edhe një herë të ekran të madh kastën e këtij filmi, çka doli të jetë një befasi e mirëpritur për aktoren e re shurdhmemece, Millicent Simmonds, e cila e portretizon rolin e vajzës së Bluntit në film.

“As nuk e kemi imagjinuar se do të realizohej një vazhdim i dytë i filmit. Por, kur John ma propozoi idenë, e pranova me shumë kënaqësi. Jam vërtetë mirënjohëse për këtë mundësi që më është dhënë”, ka deklaruar aktorja mbi qilim të kuq.

“A Quiet Place II” e sjell historinë e familjes Abbott e cila në qetësi absolute, e vazhdon luftën për mbijetesë teksa përballet me tmerret e botës së jashtme.

Aktori, Cillian Murphy i cili i është shtuar ekipit të filmit, tha se ishte pikërisht elementi emocional që ia kishte ofruar filmi i parë, ajo çka e ka shtyrë ta pranojë ofertën për t’u bërë pjesë e tij.

Teksa koronavirusi vazhdon të ndikojë në anulimin e disa ngjarjeve e premierave anembanë botës, aktorët e këtij projekti thanë se janë këshilluar si të jenë më të kujdesshëm, nga profesionistë mjekësorë. Por ylli i kinematografisë, Djimon Hounsou thotë se planifikon ta jetojë jetën sa më normal që është e mundur.

“Nuk dua të flas shumë për koronavirusin sepse nuk dua t’i jap shumë rëndësi. Sigurisht se ne jemi mbledhur këtu për ta promovuar filmin, apo jo. Prandaj, mendoj se duhet vazhduar me jetën normale”, citohet të ketë thënë aktori.

“A Quiet Place II” do të lansohet nëpër kinema nga 20 marsi.

Të ngjashme