Çiftet shqiptare që u bashkuan së pari në videoklipe

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 15:01 | Nga

Një pjesë e mirë e çifteve shqiptarë na kanë treguar se dashuria zgjat në kohë dhe ja del çdo pengese.

Nëse do i hidhnim një sy disa prej historive më të njohura të VIP-ave do shikonim që të vërtetat e jetëve të tyre ngjajnë shumë me përrallat. Disa i ka bashkuar profesioni, ndërsa të tjerë dashuria për të bërë diçka të veçantë së bashku. Disa nga çiftet më të dashur të publikut dikur dhe tani kanë performuar së bashku në videoklipe.

Dafina dhe Krenar Çoçaj

Lidhja mes Dafinës dhe Krenarit ishte shumë e bujshme. Edhe pse profesionet e tyre nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin, dy të rinjtë ishin pjesë e një klipi, të titulluar “Dangerously in Love” ku Dafina këndonte, ndërsa Krenari shfaqet si protagonist krah saj. Prej vitesh dy të rinjtë janë ndarë.

 

Dafina dhe Ledri

Dafina Zeqiri dhe Ledri Vula kanë qenë para disa vitesh në një lidhje dashurie. Gjatë asaj kohe ata realizuan tre këngë të cilat rezultuan shumë të suksesshme. “Got Ur Back”, “Pom pëlqen” dhe “Tonight” kanë miliona klikime në ‘youtube’. Dy të rinjtë edhe pse të ndarë prej kohësh ruajnë një marrëdhënie të mirë shoqërore.

Angela Martini dhe Ledri

Disa vite më parë Ledri Vula ka qenë një marrëdhënie dashurie me modelen e njohur shqiptare, Angela Martini. Kjo e fundit u bë pjesë si modele e njërit prej klipeve të tij në 2014-ën. “100 probleme” titullohej kënga që i bëri dy të dashuruarit bashkë në disa skena të nxehta bardh e zi. Lidhja mes tyre ka mbaruar prej disa vitesh.

Cozman dhe Tuna

Cozman dhe Tuna kanë pasur një nga lidhjet më të bujshme në showbizin shqiptar. Ata kanë realizuar dy këngë së bashku “Fenix” dhe “Holla” në të cilat janë shfaqur shumë të dashuruar me njëri-tjetrin. Prej disa vitesh ata janë ndarë.

Miriam Cani dhe Alban Skënderaj

Ata janë një nga çiftet më të dashur për shqiptarët. Gjithmonë duke përkrahur njëri-tjetrin e duke dhuruar vetëm energji pozitive, Albani dhe Miriami kanë realizuar më shumë se një këngë së bashku. Nga koha kur kënduan për herë të parë “Let me die with you” dhe “Ende ka shpresë”, dy këngëtarët e njohur kanë realizuar edhe “Dhurata”, këngën dedikuar vajzës së tyre Ameli. Ndër më të veçantët rendisim edhe klipin e këngës “Engjëll” të Alban Skënderaj ku Miriami është protagoniste, por nuk këndon.

Xhensila dhe Besi

Xhensila Myrtezaj dhe Bes Kallaku janë një nga shembujt më të mirë të dashurisë së vërtetë. Ata janë bërë prindër të një vajze disa javë më parë dhe po përjetojnë ditët më të lumtura krah saj. Këngët dedikuar njëri-tjetrit ndër vite kanë qenë të shpeshta, por vetëm dy prej tyre i kanë bërë bashkë edhe si protagonistë në videklip dy artistët e njohur. “Çelësi i zemrës” dhe “Skifterja e Zemrës” janë dy klipe të veçantë për nga përmbajtja dhe gjithë detajet e tjera.

Nora dhe Roberti

Nora Istrefi dhe Robert Berisha jetojnë prej vitesh të lumtur krah njëri-tjetrit dhe vajzës së tyre Renee. Ata kanë realizuar një bashkëpunim muzikor nën titullin “S’ka inat” dhe një tjetër videoklip u Roberti është në rolin protagonist krah Norës e cila këndon “Baby jem”.

Vesa Luma dhe Big Basta

Vesa dhe Big Basta kanë realizuar vetëm një bashkëpunim muzikor së bashku, nën titullin “Boom”. Ata janë prej kohësh të martuar dhe po jetojnë dashurinë e tyre krah djalit i cili ka marrë zemrat e të gjithëve.

Mozzik dhe Loredana Zefi                         

Reperi i njohur shqiptar po korr sukses me këngët e tij vitet e fundit. Prej disa kohësh ai është në një lidhje dashurie me Loredana Zefin, e cila është bërë protagoniste në këngët “Madam” dhe “Ti amo”. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me këngën e parë të publikuar nga Loredana “Sonnenbrille” në të cilën Mozzik shfaqet krah saj.

Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska

Ermali dhe Ami janë prindër të dy fëmijëve dhe dashuria e tyre është ndër ato të rrallat që ka zgjatur prej shumë vitesh. Aktori dhe moderatori i njohur njihet edhe për realizimin e disa projekteve muzikore, por vetëm në njërin prej tyre protagoniste është bashkëshortja e tij Amarda. Bëhet fjalë për këngën “Ditët e mia” ku Ami shfaqet krah Ermalit më e lumtur se kurrë./revistawho.com

 

Të ngjashme