Ellie Goulding është bërë nënë për herë të parë

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Këngëtarja e njohur britanike dhe shumë e dashur për publikun mbarë botëror, Ellie Goulding, është bërë nënë.

34-vjeçarja e soli në jetë fëmijën e parë me bashkëshortin Caspar Jopling, i cili edhe e konfirmoi lajmin e gëzuar përmes një postimi në Instagram.

Krahas një fotografie të luleve, Jopling shkroi: “Nëna dhe foshnja janë mirë me shëndet dhe shumë të lumtur. Po ndihem jashtëzakonisht mirënjohës. Unë asnjëherë nuk i adresohem vëmendjes publike që vjen me punën e gruas sime Ellie, por gjatë këtij momenti magjik dhe personal për ne të dy, do ta vlerësonim shumë nëse do të mund ta shijonim privatësinë tonë si familje. Faleminderit”.

Ndërkohë, së fundmi Ellie e bëri të ditur lajmin se ka pranuar këshilla të mrekullueshme të shtatzënisë nga mikeshat e saj, Princesha Eugenie dhe pop ylli amerikan Katy Perry, të cilat po ashtu së fundmi janë bërë nëna për herë të parë.

Ellie Goulding dhe Caspar Jopling u martuan me një ceremoni glamuroze, më 31 gusht të vitit 2019.

Në një intervistë të fundit, këngëtarja e pati bërë të ditur se çifti e kishte mësuar lajmin e shtatzënisë në përvjetorin e parë të martesës së tyre, në gusht të vitit të kaluar, duke shtuar se ishte një befasi për të dy. Fillimisht ata kishin vendosur që lajmin e shtatzënisë ta mbajnë të fshehtë për një kohë.

Goulding njihet për hite të shumta muzikore, si “Burn”, “I Need Your Love”, “Beating Heart”, “Powerful”, “Love Me Like You Do” dhe të tjerë.

Vjetëve të fundit ajo nuk ka qenë shumë aktive në muzikë, duke u fokusuar në angazhimet e saj si aktiviste. Gjatë vitit 2020 ajo i lansoi dy këngë, “Power” dhe “Slow Granade”, ndërsa para një muaji e solli videoprojektin, “New Love”, të realizuar në bashkëpunim me dyshen e famshme të muzikës, Mark Ronson dhe Diplo.

Artistja e shquar edhe për aftësitë e saj si tekstshkruese, planifikohej t’i mbajë disa koncerte nga 28 prilli deri më 12 maj, të cilat kanë për qëllim promovimin e albumit të saj të lansuar në muajin korrik, “Brightest Blue”. Tani, Goulding ka vendosur që koncertet në fjalë t’i mbajë në muajin tetor për shkak të pandemisë. Pritet të shihet nëse do t’i shtyjë sërish këto data, në mënyrë që të kalojë më shumë kohë me foshnjën e porsalindur.

Të ngjashme