Fansat e DJ-it afrikan ia hapin arkivolin gjatë ceremonisë së varrimit

Prishtinë | 01 Sht 2019 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Disa fansa të muzikantit të ndjerë afrikan, DJ Arafat, raportohet të kenë hapur arkivolin e tij gjatë ceremonisë së varrimit në qytetin Abidjan të Bregut të Fildishtë.

DJ-i 33-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit ishte Ange Didier Huon, vdiq më herët gjatë muajit gusht në një aksident me motoçikletë.

Video të shumta janë publikuar në rrjete sociale teksa tregojnë fansat që hapin arkivolin për ta identifikuar. Skena kaotike kishte ndodhur pak orë pasi mijëra njerëz u mbledhën për ta kujtuar artistin. Një koncert i madh u mbajt në një stadium në nder të tij, para se muzikanti të varrosej të shtunën.

Policia kishte përdorur edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

“Ne donim të shihnim trupin e idhullit tonë para se të bëhej varrimi”, ka thënë një fans i tij për agjencinë “AFP”, transmeton Koha.net.

DJ Arafat ishte ndër muzikantët më të njohur afrikanë. Ai njihej si mbreti i “coupe-decale”, një zhanër i muzikës së vallëzimit në Bregun e Fildishtë. Njihej për jetën e veçantë që bënte, ndërsa jashtë skenës kishte pasur edhe akuza për dhunë në familje.

Të ngjashme