Kundër Korrupsioni mbyllë rastin e Drejtorit të Klinikës së Radiologjisë

Prishtinë | 08 Sht 2019 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Bujar Gjikolli, Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës pos këtij posti, ai mbante edhe tri funksione tjera, atë të dekanatit në Fakultetin e Radiologjisë pranë Kolegjit AAB, Drejtor Mjekësor pranë Spitalit Privat Sante Plus dhe përfaqësues i autorizuar në Organizatën jo-qeveritare Fondacionin Kosova Open Medical Club-KOMC.

Për këtë arsye, ndaj tij, ishte hapur rast për dyshim të konfliktit të interesit, transmeton Indeksonline.

Mirëpo, Agjencia Kundër Korrupsionit, tashmë ka mbyllur rastin e zyrtarit publik Bujar Gjikolli, për shkak se sipas vendimit të AKK-së, është shmangur gjendja e papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik.

Arsyetimi i AKK-së, është se pas marrjes së informacionit lidhur me zyrtarin në fjalë, ka filluar procedurat për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së konfliktit të interesit.

Anti Korrupsioni e ka njoftuar Gjikollin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk mund të ushtroj njëkohësisht edhe funksionin drejtues-Dekan dhe Drejtor Mjekësor.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtar dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuar në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit”, thuhet në arsyetimin e AKK-së.

Pas takimit me zyrtar të AKK-së dhe faktet e prezantuara, Gjikolli ka ndërmarrë veprimet për të shmangur gjendjen e konfliktit të interesit.

Ai ka dhënë dorëheqje nga funksioni i Dekanit në Fakultetin e Radiologjisë.

Po ashtu, Gjikolli më nuk ushtron asnjë funksion në spitalin privat Sante Plus.

Ky rast është mbyllur, mirëpo, mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja.

Kujtojmë që Gjikolli është emëruar Drejtor i Klinikës së Radiologjisë me 27 korrik të vitit të kaluar.

“Jam i nderuar me respektin dhe privilegjin ti shërbej edhe më shumë popullit e institucioneve të Kosovës. Falemnderit të gjithëve për përkrahje” kishte thënë doktori Gjikolli pas pranimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme