Objektit për qëndrim ditor për persona të moshës së tretë, që ka filluar të ndërtohet në hapësirën mes parkut të vogël të qytetit të Pejës dhe pallatit të kulturës, ka hasur në kundërshtim të qytetarëve të dy bashkësive lokale, me arsyetimin se ai objekt në atë vend ka bllokuar lëvizjen e lirë.
Disa përfaqësues të qytetarëve që po e kundërshtojnë ndërtimin e këtij objekt, kanë kontaktuar edhe kryetarin e Komunës, të cilit ia kanë shprehur shqetësimet e veta për bllokimin e lëvizjes së qytetarëve në atë pjesë, shkruan sot Koha Ditore.
“Kryetari u ka thënë se e lirojnë një pjesë rreth dy metra kalim, pasi aty fare nuk ka qenë e planifikuar që të mbesë ndonjë rrugë për qarkullimin e këmbësorëve. Ky lirim është bërë pasi janë ankuar qytetarët te kryetari, sepse objekti që po ndërtohet ka pasur të ngjitej me objektin e pallatit të kulturës”, thotë qytetari Gëzim Derrvishaj.
Fillimisht ankesat e qytetarëve kanë qenë vetëm për bllokim të lëvizjes e pastaj, siç thotë Derrvishaj, qytetarët kanë vendosur që me një peticion të kundërshtojnë ndërtimin e objektit, që tashme veç ka nisur të ndërtohet.