Kundërshtohet propozimi i ekzekutivit për emërimin e QKMF-së në Lipjan

Lipjan | 22 Kor 2022 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit i ka propozuar Kuvendit Komunal që Qendra Kryesore Mjekësore Familjare atje ta mbajë emrin e ish-mjekut, tani të ndjerit Mejdi Zejnullahu.

Propozimi i ekzekutivit është bazuar nga një peticion prej 174 nënshkrimeve të punonjësve shëndetësorë. Por opozita ka reaguar për ta kundërshtuar propozimin e ekzekutivit me arsyetimin se nuk është koha e duhur për propozime të tilla.

Arsim Jashari, shef i grupit të Kuvendarëve në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se subjekti i tij është konsultuar dhe në javën e ardhshme do të votojnë kundër propozimit të komunës për emërimin e QKMF-së.

Sipas tij, qeverisja e LDK-së edhe emërimet e institucioneve po synon t’i bën mbi baza politike.

“Fatkeqësisht po jetojmë në kohën kur në një kazan zihen vlerat dhe anti-vlerat, e vërteta dhe gënjeshtra, e mira dhe e liga. Ne si grup i asamblesë së PDK-së, nuk do e mbështesim ketë propozim-emërim. Absolut asgjë personale me ish-të ndjerin apo familjen e tij, por ne jemi parti e ngritur mbi sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për liri. Sepse jemi pasardhësja e luftës fisnike të UÇK-së. Për këtë arsye, ne mendojmë se duhet pasur kujdes dhe të vendoset meritokracia e assesi autoriteti të cilën disa persona po mundohen ta shfrytëzojnë”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, kuvendarët janë përfaqësuesit e popullit andaj kanë përgjegjësi dhe duhet mbrojtur interesat e përgjithshme.

“Ne si PDK mendojmë se nëse duhet emëruar QKMF-në në këtë kohë, atëherë duhet të mbahet një debat i gjerë, dhe jo vetëm me një propozim. Kemi doktor të parë në komunën e Lipjanit, infermierë të parë dhe kontribuues të devotshëm, andaj duhet respektuar hierarkia dhe kontributi i çdo njërit, jo vetëm se ka mundësi për t’i mbledhë nënshkrimet ta vendosim një emër. Duhet pasur kujdes me këto votime se mbesin në histori, andaj ne jemi ajo gjenerata që duhet ta shkruajmë historinë drejtë, sipas vlerës, meritës dhe paanshmërisë. Pra, nuk duhet te shkruhet historia me anime politike sepse është gabim trashanik”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq, Alban Salihu, shef i grupit të Kuvendarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se propozimi për emërtimin e QKMF-së në Lipjan është vazhdimësi e praktikës së kësaj qeverisje lokale për përvetësimin në çdo formë dhe çdo mënyrë të secilit institucion publik.

“Njëjtë sikur po tentojnë të veprojnë me QKMF-në, kanë vepruar edhe me emërtimet e rrugëve, me emërtimet e objekteve të ndryshme publike e kudo tjetër, duke përzgjedhur në shumë raste personat që kanë pasur afërsi me LDK-në. Ne konsiderojmë që për vendime të tilla sikur ky i emërtimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan duhet të ketë debate të hapura e gjithëpërfshirëse, të vendosen kritere të qarta për kontributin e secilit në fushën e shëndetësisë e jo kriter të jetë vetëm angazhimi në LDK”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, LVV-ja nuk e mohon kontributin e askujt e në veçanti kontributin e mjekëve në çfarëdo periudhe, por për vendime të tilla siç është rasti i QKMF-së, duhet të mbahen më shumë debate, thonë ata.

“Mendojmë se ka shumë persona që do të duhej të konsideroheshin apo të jenë pjesë e propozimeve të tilla, si për nga koha kur kanë shërbyer ashtu edhe për nga kontributi i dhënë në fushën e shëndetësisë e po ashtu do duhej të ndalet kjo praktikë e ulët e katapultimit të përsonave vetëm për motive partiake”, ka thënë Salihu.

Hyra Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit, ka thënë se Komuna ka marrë në konsideratë një kërkesë me 174 nënshkrime të punonjësve shëndetësorë dhe janë obliguar ta dërgojnë si pikë diskutimi në Kuvend.

“Kjo kërkesë gjithashtu është nënshkruar edhe nga asamblistët e partive opozitare që janë punëtorë shëndetësorë. Ekzekutivi nuk mund ta mbajë në sirtarë një kërkesë të tillë, por është obligim i yni ta dërgojmë në Kuvend. Prandaj konsiderojmë se ne kemi ndjekur rrugën e duhur ligjore. Çështje tjetër është pastaj vendimmarrja e kuvendarëve për vlerësimin dhe vendimin e vetë asamblistëve”, ka thënë Bytyqi.

Me gjithë përpjekjet, KOHA nuk ka mundur të marrë edhe një deklaratë nga familjarët e ish-mjekut Mejdi Zejnullahu.

Por në një kërkesë të stafit mjekësorë, të cilën e ka siguruar KOHA, midis të tjerash është kërkuar nga Komuna që të nisin procedurat për emërimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

“Kjo kërkesë vjen si mirënjohje për kontributin e dhënë në përkujdesjen e shëndetit të qytetarëve të Komunës sonë, posaçërisht duke filluar nga vendlindja e tij në Magurë”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e stafit mjekësorë.

Të ngjashme