Deri në fund të orarit zyrtar Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pritur për reflektim kreun e Qeverisë, Albin Kurtin.
Pak pas orës 16:00 në Kuvend, shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi e dorëzoi mocionin e mosbesimit për qeverinë në të cilën bëjnë pjesë edhe vet.
46 vota ka arritur që t’i sigurojë Isa Mustafa, për të dorëzuar edhe zyrtarisht në Kuvend të Kosovës kërkesën për seancën, në të cilën do të votohet për mocionin e votëbesimit.
Kushtetuta e Kosovës, saktëson se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngritet me propozimin e një të tretës të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Sipas nenit 100, mocioni i mosbesimit vihet në rend të ditës në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë që nga data e parashtrimit të tij.
Që do të thotë se ai mund të vihet në rend të ditës, prej ditës së hënë deri të mërkurën e javës që vjen.
Mocioni i mosbesimit konsiderohet se është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme, ndërsa, nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.